Brenda datës 30 nëntor do mësojmë sa borxh kemi

Qeveria ka nisur zyrtarisht procedurat për auditimin e borxhit publik, të shndërruar së fundmi në një nga pikat më të nxehta të debatit mes maxhorancës dhe opozitës. Top Channel zbardh të plotë projektligjin, përmes të cilit Qeveria ka përzgjedhur kompaninë ndërkombëtare Deloit për t’i besuar detyrën e skanimit të financave publike. Sipas marrëveshjes, Deloit do të paguhet 85 mijë euro nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
Në draftin që pritet të votohet së shpejti në Kuvend, është përcaktuar se Deloit do të dorëzojë raportin final të auditimit dhe shifrën reale të borxhit publik brenda datës 30 nëntor. Në relacionin që shoqëron projekligjin Ministria e Financave pranon se nënshkrimi i një marrëveshje të tillë urgjente nuk bëhet i mundur nga ligjet në fuqi, prandaj ajo ka përzgjedhur një procedurë ligjore unike të paparashikuar nga legjislacioni shqiptar.Sipas Qeverisë ky vendim diktohet nga situata e rëndë ekonomike në të cilën gjendet Shqipëria dhe nevoja urgjente për të evidentuar në mënyrë të saktë borxhin që shteti shqiptar ka ndaj biznesit vendas dhe atij të huaj.
Por përtej çështjeve juridike që lidhen me procedurën, raporti final i Deloit mbi shifrën reale të borxhit pritet të nxehë edhe më tej debatin mes Qeverisë dhe opozitës. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe maxhoranca aktuale pretendojnë se borxhi i vendit e ka kaluar nivelin 70 për qind të Prodhimit Kombëtar. Por demokratët, që deri para pak javësh, ishin në Qeveri pretendojnë se kjo është e pavërtëtë dhe se Qeveria po përpiqyet të komplotojë me financat publike për t’i krijuar vetes hapsira që të rrisë borxhin. a.n.
Add new comment