Kaosi me makinat e sekuestruara: Të përvetësuara, të “dhëna në përdorim”, të humbura!

Ndër vite, herë pas here kanë dalë në shtyp lajme mbi “derexhenë” ku ishin katandisur makinat e sekuestruara nga policia, edhe në rastet kur të zotëve u është kthyer mjeti me vendim gjykate: Pjesë të munguara, karburanti i konsumuar etj etj, që e bënin makinën të papërdorshme. Nuk është dëgjuar ndonjë rast kur pronarët kanë paditur policinë për këto dëmtime dhe kanë gjetur të drejtën. Por masivizimi i kësaj dukurie ka shkuar një shkallë më lart, sidomos për makinat luksoze të rreshtuara në parkingun e policisë: Ato janë përdorur rregullisht nga oficerë të lartë policie e prokurorë, dhe siç shkruan Shqip, “ka dyshime se disa prej këtyre mjeteve janë përdorur në ngjarje kriminale, apo kanë shërbyer për të transportuar persona të rrezikshëm, për t’u shpëtuar policisë. Në rastin e ndalimit nga policia, u janë dhënë dokumentet e përdorimit nga ku rezultoi se përdorimi u është dhënë nga oficerë policie apo prokurorë”. Për ta përmbledhur edhe një herë: Makina të sekuestruara për parregullsi dokumentesh apo të përdorura në ngjarje kriminale, kanë përfunduar në duart e personave të dyshimtë me ndihmën e policisë, për t’u ripërdorur në ngjarje kriminale!
Shqip nuk jep ndonjë rast konkret, por duket se pilafi nuk mbante më ujë, përderisa kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha, ka kërkuar prerë që kjo histori të marrë fund. “Janë 130 automjete të sekuestruara nga policia e Tiranës në cilësinë e provës materiale, një pjesë e mirë e të cilave janë përvetësuar dhe përdoren nga drejtorë të lartë dhe oficerë të policisë apo titullarë të institucioneve të ndryshme”, pohojnë burimet nga akuza qendrore. Fusha la 23 tetorin si afatin e fundit për dorëzimin e mjeteve dhe magazinimin e tyre në pikën e bllokimit pranë rezervave të shtetit në Lundër.
a.k
Add new comment