Komisioni Europian rekomandon që Shqipëria të marrë Statusin e vendit kandidat

Komisioni Europian rekomandon që “Shqipëria të marrë Statusin e vendit kandidat me mirekuptimin që ajo të vazhdojë të ndërmarrë aksione në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”: ky është formulimi i paraqitur sot vendeve anëtare të Bashkimit Europian, i siguruar nga Zëri i Amerikës. Ndërkohë hapja e bisedimeve kushtezohet me përmbushjen e detyrimeve veçanërisht për reformën në administratë, shtetin ligjor dhe të drejtat themelore.
Në ndryshim nga viti i kaluar kur rekomandimi për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë kushtëzohej me përmbushjen e tre reformave, atë të parlamentit, ligjin për Gykatën e Lartë dhe atë për Shërbimin Civil, këtë herë Komisioni Europian në dokumentin e tij për Shqipërinë, i propozon vendeve anëtare që asaj “t’i jepet statusi kandidat me mirëkuptimin që Shqipëria të vazhdojë të ndërmarrë reforma në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Rekomandimi vjen pasi Komisioni vlerëson se “Shqipëria ka bërë përparim të mirë në rrugën e saj të integrimit europian, veçanërisht duke miratuar masa, të cila janë identifikuar si thelbësore që vendi të përfitojë statusin kandidat si dhe duke ndërmarë reformat në fushat e përcaktuara si përparësi kyçe në opinionin e Komisionit të vitit 2010. Shqipëria – vazhdon më tej vlerësimi i Komisionit – ka marrë hapat e para drejt përmirësimit të efiksasitetit të hetimeve dhe ndjekjes së rasteve kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Zgjedhjet e 23 qershorit vlerësohen gjithashtu se “u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt”. a.n.
Add new comment