Portret: Prof. Dr. Wilfried Fiedler - Një jetë për albanologjinë

DW i kushton një portret një prej albanologëve më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë, Prof. Dr. Wilfried Fiedler. Ai ëshë ndoshta albanologu më i rëndësishëm në hapësirën gjuhësore gjermane të këtij gjysmëshekulli dhe merret intensivisht me studimet e gjuhës shqipe.
Në vitin 1959 Fiedler u bë docent për gjuhën shqipe në Universitetin Humbold të Berlinit dhe nga viti 1968 bashkëpunëtor shkencor i Institutit të Gjuhësisë së Akademisë së Shkencave të RDGJ-së. Ai aty drejtoi deri në vitin 1989 bashkë me dr. Oda Buchholz Sektorin e Balkanologjisë.
Në vitin 1989 ai pasoi si profesor i Albanologjisë në Universitetin e Mynihut, prof. Martin Camaj. Pas daljes në pension në vitin 1998 prof. Fiedler vazhdon të punojë si profesor i jashtëm për gjuhën shqipe pranë Universitetit të Jenës në Institutin për Studimet për Evropën Juglindore.
Prof. Fielder është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Lista e tij e botimeve përmban veç monografive monumentale për Shumësin në Gjuhën Shqipe dhe Sistemin Foljor të Buzukut edhe mbi 150 artikuj shkencorë nga fusha e shqipes dhe e gjuhësisë ballkanike.
Në fokus të vëmendjes së tij nuk ishte vetëm shqipja e sotme për të cilën ai ka shkruar së bashku me Oda Buchholz edhe një gramatikë deskriptive, por edhe fazat e ndryshme të zhvillimit të gjuhës shqipe nga lashtësia dhe të marrëdhënieve të saj me gjuhët ballkanike. Një vend qendror në studimet e tij zë edhe gegërishtja e autorëve të vjetër shqiptarë.
PUNËT
Puna që e bëri më të njohur studiuesin Fiedler është vepra e përbashkët me Oda Buchholz Albanische Grammatik, Berlin, 1987, në të cilën sistemi gramatikor i shqipes së sotme vështrohet në tërë gjerësinë e tij: në fonologji, në strukturën morfologjike dhe në fushën sintaksore.
Libri i W. Fiedler-it 'Sistemi foljor i gjuhës shqipe të Gjon Buzukut' është monografi e gjerë dhe gjithëpërfshirëse dhe na çon kështu në fazat më të hershme të shqipes së shkruar. Në të janë shqyrtuar në mënyrë të detajuar të gjitha aspektet e sistemit foljor të gjuhës shqipe te libri i parë i botuar “Meshari”. Ky në fakt është hulumtimi i parë sistematik i këtij lloji i një segmenti të strukturës gjuhësore të Buzukut.
bashkë me Oda Buchholz dhe G. Uhlisch, ai bëri Fjalorin shqip-gjermanisht, i cili, me 30.000 fjalët dhe me pasqyrimin kryesisht të shqipes pas normimit të vitit 1972, me shumë shprehje idiomatike e begatime të natyrës stilistike, të shoqëruar me një gramatikë relativisht të plotë, që pati katër botime në ish-Republikën Demokratike Gjermane. Pas bashkimit gjerman ai u botua në serinë e Langenscheidt. Prof. Fiedler ka hartuar në bashkëpunim me Adrian Klosin edhe një fjalori gjermanisht-shqip me 45.000 fjalë dhe me rreth 20.000 frazeologji botuar në vitin 1997.
ne.su (marrë nga DW)
Add new comment