Blatter futet në belá me komentet për Mesin e Ronaldon

Postuar në 30 Tetor, 2013 07:04

Presidenti i FIFA-s, Sep Blatter, cilësoi Mesin si favorit për të fituar “Topin e Artë”, duke i thurur elozhe pa fund argjentinasit. Gjatë fjalës së mbajtur në Oxford Union Society, zvicerani u shpreh me superlativa për atë çka Mesi bën brenda por edhe jashtë fushës.

“Leo është një djalë i mbarë dhe çdo prind do të dëshironte të kishte një fëmijë si ai. Mesi është edhe një lojtar shumë i mirë, i shpejtë me topin dhe shpeshherë duket sikur vallëzon në fushën e lojës”. Krejt ndryshe shprehet për Ronaldon: “Ai është një komandant në fushën e lojës, por shpenzon më shumë tek parukieri se Mesi. Gjithsesi, nuk mund të them se është më i miri. Lista tashmë është publike dhe të gjithë kanë të drejtë të votojnë për lojtarin e preferuar, mua më pëlqejnë të dy, por e përsëris që personalisht dua të fitojë Mesi”.

Menjëherë pas këtyre deklaratave, klubi i Realit i ka kërkuar zyrtarisht të tërheqë mbrapsht fjalët, duke i cilësuar ato si fyerje për Ronaldon. Presidenti i FIFA-s nuk ka ngurruar t’i kthejë përgjigje Perezit apo t’i japë shpjegime Ronaldos. “Më vjen keq që kjo situatë ka shkaktuar dhimbje dhe kërkoj ndjesë”, shkruan Blater.

“Nuk e kam pasur kurrë si synim të shfaq mungesë respekti për Realin, lojtarët e tij apo tifozët”. Po ashtu, Blater i ka shkruar Ronaldos në Twitter: “Të kërkoj ndjesë nëse je mërzitur nga përgjigja pa të keq që dhashë në një ngjarje private të premten. Kurrë nuk kam dashur të të ofendoj”. a.n.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.