Protagonizmin e Haxhinastos për “furgonët”, Metaj e cilëson si fillimin e rëndimit të kostos së qeverisjes te ministrat e LSI

Çështja e “furgonëve”, protestat, ligjshmëria e tyre, justifikimi moral etj. etj. janë trajtuar gjerësisht në media ditët e fundit. Nuk kanë munguar as pozicionimet e analistëve, ku disa kanë mbështetur idenë e nevojës së shtetit për të vëndosur pikat mbi “I” kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit ndërsa disa të tjerë kanë mbështetur idenë e “mbylljes së njërit sy” për hir të numrit të lartë të familjeve shqiptare që ushqehen nga kjo veprimtari. Por në median vizive dhe në shtypin e shkruar, pak është analizuar politikisht si zhvillim brenda qeverisjes kjo çështje, që ka përfshirë në një betejë publike Ministrinë e Transporteve dhe drejtuesit e furgonëve, apo taksive "8 plus 1" siç i njeh ligji.
Elton Metaj, drejtor i të përditshmes “Tirana Observer” , e analizon në një këndvështrim ndryshe, duke e cilësuar si zhvillim të ri në marrëdhëniet e brendshme të mazhorancës qeverisëse. Metaj evidenton protagonizmin publik të Edmond Haxhinastos përballë drejtuesve të furgonëve, si nisjen e marrjes së përgjegjësive qeverisëse nga Ilir Meta, me apo pa dashje. “Në një nga betejat më të vështira të qeverisë “Rama” në pesë muaj e dy javë mbretërim, për herë të parë një ministër i LSI-së i vë gjoksin problemeve dhe përballet me reagimin e mijëra qytetarëve. Deri më sot, në momentet më të sikletshme të qeverisjes së koalicionit të majtë, kosto e problematikave kishte rënduar mbi ministrat socialistë. Në mënyrë të kujdesshme dhe të zgjuar, Ilir Meta i kishte mbajtur njerëzit e tij larg problemeve dhe kostove politike. Por këtë herë ndodhi ndryshe. Janë të paktën tre momente që e vërtetojnë këtë” shkruan Metaj, ndërsa kujton qëndrimin e mbajtur nga LSI për çështjen e armëve kimike, për paketën e re fiskale e buxhetin si dhe për çështjen e rendit publik. Në të tre këto raste, LSI qëndroi jashtë tyre, duke ia lënë kostot forcës kryesore qeverisëse, Partisë Socialiste.
“Në këto tre situata jo të lehta për qeverinë “Rama”, Lëvizja e Ilir Metës kishte arritur të ruante profilin e saj, si një parti e dytë në ekzekutiv, por jo përgjegjëse për cilësinë e qeverisjes. Por do të duhej “kriza e furgonëve” që ky rregull të prishej dhe ministrat e LSI-së të binin në grackën e kolegëve socialistë. Në mënyrë të pashpjegueshme, protagonist i betejës me furgonët, në ditët e para të saj, ishte ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe jo ministri i Transportit, Haxhinasto. Deklarata e Tahirit për ndalimin e menjëhershëm të qarkullimit të furgonëve, pasi janë një rrezik për sigurinë rrugore, shërbeu si një shkëndijë e mjaftueshme për protestën e shoferëve. Në të njëjtën kohë, Tahiri u shfaq në krah të Haxhinastos, teksa ky i fundit diskutonte me sindikatat dhe grupet e interesit zgjidhjen e problemit të furgonëve. Sigurisht që do të bënte habi prania e ministrit të Brendshëm në një tryezë, ku ministri i Zhvillimit Urban do të takohej me ndërtuesit apo ku ministri përkatës do të takohej p.sh. me peshkatarët. Edhe në këta dy sektorë ka plot paligjshmëri, por ministri i Brendshëm e ka të pamundur të bëjë “supermen”-in për çdo gjë. Befas, në rastin e furgonëve, policia ndërhyri me ashpërsi në ditët e para, duke dërguar në komisariate edhe qytetarë, të cilët shkonin në varrim me një furgon. Kjo ndërhyrje mjaftoi që protesta e shoferëve të zyrtarizohej dhe më pas i’u kërkua ministrit të Transportit të negocionte me shoferët e furgonëve. Haxhinasto ra shpejt në këtë vorbull zhvillimesh dhe sot përballet me një situatë që duket pa një rrugëdalje të shpejtë” analizon Metaj.
Lexoni analizën e plotë: http://www.tiranaobserver.al/furgonet-si-nje-marredhenie-ps-lsi/
Add new comment