Të dënohesh për komentet e lexuesve, një precedent që s’e përjashton Shqipërinë

Postuar në 03 Mars, 2014 13:01

Ajo çfarë ndodh në median online ka ngjallur kureshtjen e medias tradicionale. Televizioni “Vizion Plus” ka realizuar një kronikë ku trajtohet problematika e gjuhës së urrejtjes që përdoret në mediat online. Si zgjidhje për këtë problematikë, një jurist i intervistuar thotë se egziston një precedent i vendosur nga Gjykata e Strasburgut, ku një portal është dënuar për shkak të komenteve të lexuesve…(k.k)

 

Mëposhtë teksti i plotë i kronikës së transmetuar:

 

“Liria” për të sharë online, Strasburgu sjell shembull ndëshkimi

Debate të ashpra dhe fjalë fyese. Kjo është panorama në faqet online të mediave informuese shqiptare. Në vend të argumenteve dhe një mendimi të qëndrueshëm, komentuesit zgjedhin gjuhë urrejtjeje, ku dukshëm askush nuk mendon dy herë nëse po cenon etiken apo akoma më keq po shkel ndonjë ligj. Jo të gjitha mediat publikojnë atë çfarë shkruhet nga komentuesi, madje një vëmendje të veçantë komenteve ua kushton gazeta “Start”, ku kryeredaktori Saimir Lleshi shprehet se komentet me fjalë fyese janë të shumta, por që ato censurohen për të ruajtur normat. Po çfarë duhet të bëjë një person apo një kompani nëse gjendet në rolin e të ofenduarit apo fjalëve kërcënuesve? Në fakt një zgjidhje ligjore ekziston. Gjykata e Strasburgut tetorin e vitit të shkuar trajtoi një çështje midis shtetit të Estonisë dhe një portali online, më i madhi në Estoni i quajtur Delfi. Në vitin 2006, një kompani publike e quajtur SLK publikon një artikull në këtë faqe interneti. Në shkrim komentojnë 185 persona, ku 20 prej tyre përdorën një gjuhë të ulët dhe kërcënuese drejt kompanisë, e cila nga ana e saj bëri fajtore portalin Delfi, me arsyen se ajo kishte kontroll mbi komentet dhe duhej t’i kishte parandaluar ato. Edhe pse Delfi i fshiu komentet brenda ditës, gjykata e Strasburgut argumentoi se, ky portal duhej t’i kishte parashikuar dhe ndaluar komentet përpara se të publikoheshin, duke e bërë atë përgjegjëse për çështjen. Sipas avokat Isuf Shehu, deri më tani në Shqipëri nuk ka pasur çështje të tilla si e Strasburgut, por nëse do të ketë akuza nga persona apo kompani si objekte që janë fyer nga dikush tjetër, atëherë ekzistojnë ligje që mund të sjellin ndëshkim të personave të akuzuar. Nëse nuk e dini se çfarë ndodh në sitet online mjafton që kur të shihni një temë që ju intereson të lexoni dhe komentet nga qytetarët. Të fshehur nga një pseudonim kushdo ndihet i lirë të shprehë mendimin e tij, madje në disa raste me nota aq negative sa duket sikur po shfryn zemërimin për gjithçka nuk i pëlqen në jetë, edhe jashtë temës nën të cilën po komenton. (Vizion Plus)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.