Fjala që Presidenti italian, Giorgio Napolitano mbajti në Kuvendin e Shqipërisë

Postuar në 06 Mars, 2014 04:44

Presidenti Italian, Giorgio Napolitano (shumica e gazetave e kanë shkruar gabimisht këto ditë ‘Napoletano”, me “e”, jo me “i”) ka bërë një vizitë në Tiranë, dhe ka mbajtur një fjalë në Kuvendin e Shqipërisë e një tjetër në një drekë të shtruar nga Presidenti Nishani. Po e publikojmë të plotë këtë të fundit:

Ndërsa shkëmbej urimet që më drejtuat, dëshiroj të shpreh kënaqësinë time që ndodhem sot këtu me Ju e t’Ju falënderoj nga zemra për mikpritjen e ngrohtë që më ofruat mua si dhe delegacionit që më shoqëron. Ndihem gjithashtu tejet i nderuar për vlerësimin e lartë që i bëtë Italisë përmes dorëzimit mua të Titullit Urdhri i Flamurit, çka dëshmon për lidhjen e ngushtë mes dy Popujve dhe Vendeve tona. Lidhja mes nesh është fryt i afërsisë së jashtëzakonshme kulturore si dhe i miqësisë së hershme mes Italisë dhe Shqipërisë, të nxitura dhe nga afërsia gjeografike mes dy brigjeve të Adriatikut si dhe nga ngjarjet – dhe pse hera-herës të dhimbshme e dramatike – e një historie të gjatë të përbashkët. Prania ime këtu sot në vizitë zyrtare përbën një ndër hallkat e zinxhirit të marrëdhënieve që karakterizohen nga një intensitet i jashtëzakonshëm, nga vazhdimësia dhe efikasiteti i lartë e që bazohen në një vizion të përbashkët kundrejt Europës dhe vlerave të saj. Marrëdhëniet tona pasurohen ditë pas dite me stimuj e me mundësi të reja. Në takimet e vazhdueshme në nivel qeverie janë kryer përparime domethënëse rreth çështjeve kryesore të bashkëpunimit dypalësh. Ndër to, në mënyrë të veçantë spikasin niveli i lartë i integrimit i arritur nga sistemet tona ekonomike si dhe niveli i lartë i shkëmbimeve tregtare, fryt i nismave të shumta sipërmarrëse, çka ka bërë të mundur përballjen me sukses të krizës së vështirë që po përjetojmë si dhe ndihmon në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes shoqërive tona. Kam bindjen se këto lidhje do të forcohen më tej me rastin e Panairit Botëror të Milanos, ku Shqipëria do të jetë pjesë e Cluster Biomediterraneo, i cili synon të vërë në pah dhe të përfaqësojë një model të ri rritjeje ekonomike dhe shoqërore për të cilin kemi besim se do të punojmë së bashku. Pjesë përbërëse e lidhjeve të ngushta që ekzistojnë mes dy vendeve tona është bashkësia shqiptare në Itali: ajo përbën sot, për nga numri, bashkësinë e dytë të huaj që banon në Itali, dhe ka dëshmuar – pavarësisht vështirësive të fillimit dhe shumë paragjykimeve – aftësi të mëdha integrimi në sistemin shoqëror, në mjedisin e punës, si dhe në atë të sipërmarrjes italiane, duke ruajtur ndërkohë pasurinë e kulturës, historisë dhe traditave të saj, e cila ka rrënjë të lashta në vendin tonë, si dhe në bashkësitë e hershme shqiptare në disa prej krahinave italiane. Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim të lartë për ndihmesën e shtetasve shqiptarë që banojnë në vendin tonë në rritjen ekonomike dhe shoqërore të Italisë, me bindjen se, përmes mbështetjes së autoriteteve shqiptare, ata do të dinë të vënë në dobi të atdheut të tyre, përvojat dhe njohuritë e përftuara në bregun tjetër të Adriatikut. Integrimi në rritje i bashkësive tona i ka dhënë udhë dhe disa sfidave: ndër to, më e vështira ka qenë ajo që lidhet me veprimtarinë e një kriminaliteti ndërkufitar, e cila përbën një rrezik të qëndrueshëm e që nuk duhet nënvlerësuar. Vendet tona kanë ditur t’i përgjigjen kësaj sfide duke krijuar marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi mes qeverive përkatëse dhe institucioneve të sigurisë, çka ka bërë të mundur përballjen, me një efikasitet në rritje e me rezultate të shkëlqyera, me fenomenet kriminale. Gjithsesi nuk duhet të ulim vigjilencën. Programet e ndihmës për capacity building dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar mes forcave të policisë, gjyqësorit, doganave dhe institucioneve të tjera shtetërore, vijojnë të jenë me rëndësi të veçantë. Zoti President, çështja e Europës është thelbësore për të dy vendet tona. Këshilli i Europës po përgatitet të shqyrtojë sërish kërkesën e Shqipërisë për përftimin e statusit të vendit kandidat në BE dhe Italia e sheh procesin e zgjerimit si një mjet për stabilitetin dhe përparimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pjesëmarrja e Tiranës në këtë proces përbën zhvillimin e natyrshëm të një rrugëtimi në të cilin skenari rajonal është pjesë e një programi më të gjerë paqeje, stabiliteti dhe sigurie, ndaj të cilit Shqipëria ka ditur të japë një ndihmesë të rëndësishme e të vyer. Përparimet e kryera nga vendi juaj e së fundmi të njohura dhe nga Komisioni Europian, mbi bazën e një vlerësimi të hollësishëm e tërësor teknik, meritojnë sot mirënjohjen e duhur. Ju ftoj pra të shihni me optimizëm takimin e ardhshëm e të rëndësishëm me Europën e të vijoni me angazhimin tuaj maksimal rrugëtimin europian, të vetëdijshëm se përpjekjet e tjera të kërkuara nga Brukseli synojnë arritjen e një synimi vendimtar për popullin shqiptar, për të rinjtë dhe për brezat e ardhshëm. Vetëm në pak viteve kemi vërejtur rrugëtimin e jashtëzakonshëm të kryer nga vendi juaj; një rrugëtim që synon ndërtimin e themeleve të sistemit institucional, politik dhe ekonomik të Shqipërisë, i kurorëzuar në 2009-n, me anëtarësimin në NATO. Keni ditur të përballeni me përgjegjësitë e reja që rrjedhin nga përkatësia në bashkësinë euroatlantike duke dhënë një ndihmesë të vyer, dhe ushtarake, në skenarët e krizës që kanë përfshirë Aleancën.     Uroj pra që të gjitha forcat politike të përfaqësuara në Parlamentin shqiptar, sigurisht në respektim të mendimeve dhe këndvështrimeve të ndryshme, të vijojnë të frymëzojnë një vizion të hapur dhe largpamës çka deri tani ka bërë që ky vend të arrijë rezultate të jashtëzakonshme, duke e konsideruar objektivin e përbashkët europian si një faktor bashkues e thelbësor për Shqipërinë dhe për stabilitetin në rajon. Përgjatë këtij rrugëtimi, mund patjetër të vazhdoni të mbështeteni në afërsinë dhe mbështetjen miqësore të vendit tonë. Gjatë gjashtëmujorit të Kryesisë së BE, që do të nisë pas katër muajsh, Italia do të vendosë në plan të parë objektivin e rritjes dhe të luftës ndaj papunësisë, kryesisht ndër të rinjtë, e cila ka goditur ndjeshëm brezat e rinj, duke bërë që të zbehen dëshirat, ëndrrat e pritshmëritë. Kam besim se do të dimë të përfaqësojmë, kundrejt institucioneve komunitare dhe partnerëve tanë në BE, veçoritë e problemeve, si dhe të rolit të vendeve mesdhetare sikurse vendet tona. Jemi mbartës energjish, traditash e shpresash, të cilat përbëjnë një pasuri të mundshme e të pazëvendësueshme për Europën e bashkuar. Do të doja të përmbyllja këtë fjalim të shkurtër me një vlerësim pothuaj personal. Për të dëshmuar afërsinë, në fakt jo vetëm politike por dhe fizike, mes Quirinale, ndërtesës ku banon Presidenti i Republikës italiane dhe Shqipërisë. Quirinale, në fakt, ngrihet krah një sheshi të vogël, por magjepsës në qendër të Romës: Sheshi Skënderbej, ku pikërisht në Pallatin e ndërtuar më 1466 nga Princi shqiptar dhe Mbret i Epirit, Gjergj Kastrioti, mbretëron emblema e tij. E pra, me këtë frymë afërsie të thellë dhe me besimin në qëndrueshmërinë e themeleve, mbi të cilat mbështeten marrëdhëniet italo–shqiptare, e ngre këtë kupë, zoti President, për begatinë e popullit shqiptar, për mirëqenien tuaj personale dhe të të gjithë të pranishmëve, të cilët i ftoj të ngremë një dolli për të ardhmen e Shqipërisë, të Italisë dhe të Europës.

 

Fjalimi i mbajtur nga Napolitano në drekën e shtruar nga Nishani për nder të homologut italian

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.