"Të burgosurit", ministria e Drejtësisë ndryshon rregullat për lejet

Ministria e Drejtësisë, përmes një urdhri të posaçëm, ka përcaktuar kriteret e reja, sipas të cilave një person që i është privuar liria mund të largohet për disa ditë nga burgu. Ndryshimet fillojnë që nga leja për fatkeqësitë në familje dhe deri te mënyra e regjistrimit të kërkesës dhe shqyrtimit të saj.
Udhëzim qw mban nr. 103 të datës 14.2.2014 dhe ka hyrë në fuqi ditën e djeshme. Në këtë udhëzim shikohet një procedurë e gjatë vëzhgimi ndaj sjelljes së të burgosurve si dhe hartimi në bazë të pikave të veçanta të udhëzimit të dosjes së secilit, raporton "Shekulli". Gjithashtu, në udhëzim, përcaktohet edhe një fakt tjetër; çdo i burgosur duhet të ketë në dosje domosdoshmërisht një dëshmi penaliteti, pasi drejtuesit e burgut duhet të jenë në dijeni të ndonjë dënimi në ndonjë vend tjetër, jashtë Shqipërisë.
Kompetencat e drejtorit të burgut
1. Drejtori i institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale (IEVP) është autoritetet përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës dhe dhënien e lejeve shpërblyese në burgjet e sigurisë së zakonshme dhe të ulët, dhe për dhënien e lejeve të veçanta personave të burgosur. Për qëllim të këtij udhëzimi, fjalët “personat e burgosur” kanë të njëjtin kuptim me përkufizimin e dhënë në nenin 2, pika 2, të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve: ‘I burgosur’ nënkupton çdo të dënuar me burgim dhe çdo person ndaj të cilit është marrë masë sigurimi “arrest në burg”'.
2. Regjistrimi i kërkesave të personave të burgosur për leje shpërblyese apo të veçantë bëhet në një regjistër të veçantë, të krijuar për këtë qëllim, i cili titullohet “Regjistri i lejeve shpërblyese dhe të veçanta të IEVP-së (emri i institucionit)”. Formati i këtij regjistri duhet të jetë konform pikave të përcaktuara në udhëzim.
3. Kërkesa për leje shpërblyese apo të veçantë drejtuar drejtorit të IEVP-së, që paraqet personi i burgosur, është sipas formatit në aneksin nr. 2 që i bashkëlidhet këtij udhëzimi. IEVP-ja merr masa për t’u siguruar të burgosurve kopje të kërkesës për leje shpërblyese apo të veçantë në mjediset e përbashkëta të institucionit, siç mund të jenë mensa, biblioteka apo mjedise të tjera të ngjashme.
4. Me marrjen e kërkesës për leje shpërblyese nga i dënuari, pas protokollimit të saj, një kopje qëndron në sekretari dhe një kopje e merr vetë i dënuari, ndërsa drejtori i IEVP-së, brenda tri ditëve, nxjerr një urdhër me shkrim për fillimin e procedurave për shqyrtimin e kërkesës për leje shpërblyese nga sektorët përgjegjës në IEVP. Pas shqyrtimit të kërkesës, drejtori i IEVP-së me shkresë të veçantë njofton drejtorin e përgjithshëm, i cili vendos për planifikimin e lejes.
5. Drejtoritë e IEVP-ve, në çdo fillim viti dërgojnë listën vjetore të të dënuarve që plotësojnë kriteret ligjore për trajtim me leje shpërblyese, të ndarë sipas muajve kalendarikë dhe të shoqëruar me dokumentacionin përkatës. IEVP-ja përkatëse dërgon njoftim me shkrim dhe komunikon përmes telefonit me komisariatin ku ka vendbanimin i dënuari, që ka përfituar leje shpërblyese, duke e informuar atë.
Si dhe kur merret ‘leja e veçantë’
a) Dorëzimi i kërkesës për leje
b) Dokumentacionin nga gjendja civile, që provon lidhjen familjare të të burgosurit me të sëmurin, i cili duhet të jenë të lëshuar jo më parë se 10 (dhjetë) ditë nga organet kompetente;
c) Vërtetimet e njësive vendore të pushtetit lokal duhet të jenë të lëshuara jo më parë se 10 (dhjetë) ditë nga momenti i dorëzimit të dokumenteve për leje pranë IEV Penale. d) Dokumentin që provon sëmundjen e rëndë, të lëshuar nga spitali publik apo privat ku është trajtuar familjari i sëmurë, me datën e lëshimit të epikrizës, datën e shtrimit (trajtimit) në spital, numrin e kartelës, pavionin ku është shtruar, lëshuar me firmën e tre mjekëve, vulat personale të tyre, si dhe vulën e institucionit që e lëshon të konfirmuar nga drejtori i institucionit mjekësor, numrat e telefonit të tre mjekëve dhe spitalit, për të konfirmuar vërtetësinë e dokumentacionit. Epikriza mjekësore, që lëshohet për sëmundjet e familjarëve të të burgosurve duhet të jetë me tri firma, origjinale (jo fotokopje) dhe duhet të paraqitet brenda 10 ditëve nga data e lëshimit të saj.
e) Kopje të dokumentit të letërnjoftimit të të burgosurit. Certifikatat duhet të jenë të lëshuara jo më vonë se 45 ditë. 41. Drejtori i IEV Penale i dërgon drejtorit të përgjithshëm të burgjeve dhe Ministrit të Drejtësisë brenda 24 orëve nga miratimi i lejes, njoftimin për dhënien e lejes shpërblyese ose të veçantë dhe brenda 5 ditëve, të gjithë dokumentacionin që ka shërbyer për të miratuar këtë leje. 42. Në fillim të vitit drejtori i përgjithshëm i dërgon drejtorive të IEVP dhe Ministrit të Drejtësisë planifikimin vjetor të lejeve shpërblyese për të dënuarit.
Kriteret që duhet të plotësojë i burgosuri për “lejen shpërblyese”
Përfitimi i lejes ndodh; a) Kur i burgosuri nuk ka paraqitur rrezikshmëri të veçantë shoqërore, brenda një viti nga paraqitja e kërkesës.
b) Kur gjatë vuajtjes së dënimit dhe në mënyrë të vazhdueshme i burgosuri ka shfaqur ndjenjë përgjegjësie dhe korrektese në sjelljen e tij personale në marrëdhëniet me personelin e IEVP-së, si dhe në aktivitetet e organizuara nga institucioni.
c) Kur i burgosuri krijon besimin e një qëndrimi të mirë jashtë institucionit.
d) Kur i burgosuri tregon qëndrim korrekt dhe jo agresiv ndaj personelit të IEVP-së, si dhe ndaj vizitorëve që hyjnë në institucion dhe nuk ka kryer kundër tyre veprime, që sipas Kodit Penal konsiderohen vepra penale.
e) Kur i burgosuri ka respektuar afatet në rikthimin e tij në institucion, pas lejeve të mëparshme të dhëna.
f) Kur i burgosuri i bindet urdhrave të dhëna nga personeli i IEVP-së. g) Kur i burgosuri nuk ka nxitur apo nuk është përfshirë në rebelimin (revoltën) e të burgosurve brenda IEVP-së.
h) Kur i burgosuri nuk ka përdorur dhunë ndaj të burgosurve të tjerë apo punonjësve të institucionit, me qëllim pengimin e ushtrimit të detyrës apo të shërbimit.
i) Kur i burgosuri nuk ka tentuar më parë të largohet pa leje apo nuk është larguar nga vendi i qëndrimit të tij të detyrueshëm. j) Kur i burgosuri nuk ka treguar neglizhencë në kryerjen e detyrave të caktuara nga personeli i IEVP-së. k) Kur i burgosuri me sjelljen e tij nuk simulon në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore. l) Kur i burgosuri nuk ka kryer akte apo vepra të tjera, të cilat cenojnë dukshëm qetësinë dhe moralin në IEVP.
m) Kur i burgosuri nuk ka mbajtur ose shpërndarë sende që mund të përdoren për të dëmtuar jetën, shëndetin, e personave të tjerë, sigurinë në institucion apo sende personale, që janë të ndaluara për t’u mbajtur në përputhje me nenin 17 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve.
n) Kur i burgosuri ka treguar administrim dhe kujdes të mirë për sendet apo pajisjet e institucionit, duke mos i dëmtuar apo përvetësuar ato.
o) Kur i burgosuri nuk ka treguar neglizhencë në higjienën dhe mbajtjen e pastër dhe të rregullt të tij, si dhe në mbajtjen pastër dhe në mënyrë të rregullt të dhomës dhe ambienteve të përbashkëta.
p) Kur i burgosuri nuk ka kryer aktivitete të tjera që janë të ndaluara në Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve, si dhe në rregulloren e IEVP-së. q) Kur i burgosuri nuk ka kryer veprime ose mosveprime, që kanë cenuar liritë dhe të drejtat themelore të të burgosurve të tjerë.
Add new comment