Kredia e FMN-së, akuza mes mazhorancës dhe opozitës. Angjeli: Ndërhyrje në kohën e duhur. Shehu: Po gangrenizoni borxhet

Debate dhe akuza mes opozitës dhe mazhorancës ka patur gjatë punimeve të seancës plenare të Kuvendit, lidhur me marrëveshjen e kredisë prej 330.9 milion eurosh mes qeverisë shqiptare dhe FMN. Deputeti socialist Anastas Angjeli deklaroi se marrëveshja erdhi pas vlerësimit që të dy palët i bënë situatës ekonomike dhe të financave publike të trashëguara nga qeverisja e mëparshme. Ky vlerësim, tha Angjeli, konstatoi se ekonomia dhe financat po kërcënoheshin nga rënia e ritmeve të rritjes ekonomike, nga prishja e ekuilibrit fiskal, rritja e borxheve, rritja e defiçitit buxhetor, rritja e kredive të këqija dhe papunësia që mund të destabilizonin zhvillimin e qëndrueshëm afatmesëm. Deputeti demokrat Sherefedin Shehu tha se marrëveshja nuk shpreh besimin, por mosbesimin e FMN-së te qeveria. “Marrëveshja me FMN është nënshkruar në mungesë transparence, pa u konsultuar me grupe interesi dhe as me institucionet. E përgatitur në fshehtësi, ajo bie në kurriz të qytetarëve, duke shtuar taksat dhe detyrimet. Synimi i marrëveshjes ishte shlyerja e borxheve, por deklaroi se nëpërmjet saj borxhet gangrenizohen”, tha Shehu.
a.k
Add new comment