Rama: Po mbajmë premtimin për legalizimet falas

Postuar në 06 Prill, 2014 06:24

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i ALUIZNI-t Artan Lame, në një takim me banorët e zonës së ish-Kënetës në Durrës dorëzuan disa dokumenta pronësie për banorët që kishin bërë aplikime shumë vite më parë për të legalizuar ndërtimet e tyre. Në fjalën e tij, Rama theksoi se qeveria e tij po realizon “zotimin madhor të fushatës për legalizimet falas”. “Kemi filluar në çdo zonë të Shqipërisë me dhënien e dokumenteve të pronësisë. Shumë familje kanë paguar nga disa herë për të marrë dokumentet dhe ende nuk kanë legalizuar asgjë, por kjo gjë do të ndryshojë”, deklaroi kryeministri.

“Kemi bërë ndryshim themelor në proces në mënyrë që ALUIZNI të jetë shërbëtori juaj. Ai dokumentacion që ishte tortura më e madhe e familjeve në kërkim të legalizimit, sot do të bëhet me asistencën e ekspertëve të ALUIZNI-t dhe falas. Të gjithë procesin e mban përsipër shteti. Do të bëhet legalizimi për të gjitha familjet pa përjashtim pasi duam t’i japim fund këtij procesi duke i krijuar mundësinë çdo familjeje që ka ndërtuar shtëpinë të mbyllë këtë çështje”, shpjegoi Rama. “Këtë e bëjmë në emër të ekonomisë familjare dhe kombëtare. Për këtë arsye do e çojmë këtë proces përpara me vendosmëri”, shtoi kryeministri, i cili saktësoi se legalizimi nuk do të jetë falas për ata që kanë ndërtuar në tokën e shtetit apo të një personi tjetër. “Do të ketë procedurë tjetër nëse ndërtimi nuk është në tokën tënde. Nëse je në tokën e shtetit apo të dikujt tjetër, për një shtëpi mbi 300 metra katrorë do të duhet të paguajë vlerën sipas çmimit të tregut. Nëse është nën 300 metra katrorë do të ketë çmim minimal”, nënvizoi Rama.

/Top Channel/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.