Rama prezanton prefekten e re të Vlorës dhe kërkon trajtim me respekt dhe dinjitet të qytetarit

Postuar në 07 Prill, 2014 05:37

Me një ceremoni të “dorëzimit të stafetës”, ku ishin të pranishëm paraardhësi dhe pasardhësi në detyrë, kryeministri Rama prezantoi zyrtarisht prefekten e re e Vlorës, Etjona Hoxha, e cila në këtë detyrë zëvendëson Besnik Dervishin. Rama, njëherësh deputet në këtë qark, garantoi mbështetjen për prefekten e re të Vlorës dhe theksoi gatishmërinë e qeverisë për përmbushjen e premtimeve të fushatës. Nga ana tjetër, ai kërkoi që marrëdhënia e institucioneve me qytetarin të lërë jashtë arrogancën dhe mungesën e respektit (një nga difektet në fakt, që demokratët ja njohin vetes si arsye e humbjes së zgjedhjeve). Ja ç’tha Rama:

“Do të realizojmë ndryshimin që njerëzit kërkuan në 23 qershor që padyshim nuk është ndryshimi i një ngjyre me një tjetër por ndryshimi i vendit, ndryshimi i modelit qeverisës, i marrëdhënieve mes individit dhe shtetit dhe cilësisë së jetës. Është një proces që pa pikë dyshimi është shumë i vështirë  dhe që do të ketë hatërmbetje apo gabime por ne duhet të kem aftësinë të vetëkorrigjojmë gjithçka që gjatë rrugës nuk shkon siç duhet.  Dhe duhet të kemi kurajën që të shikojmë përpara dhe të ecim shpejt e më shpejt për ta bërë realitet rilindjen që Shqipëria kërkon, rilindjen që ne u zotuam dhe që Vlora dhe vlonjatët meritojnë. Kemi filluar një punë të gjithanshme për të realizuar një e nga një, hap pas hapi zotimet tona dhe unë jam besimplotë që ne do ti mbajmë premtimet dhe ne do ta ndryshojmë cilësisht jetesën e njerëzve në këtë vend. Në radhë të parë duke vendosur në vend dinjitetin e qytetarit në raport me shtetin, duke vendosur shtetin dhe institucionet aty ku u takon në raport me qytetarin dhe duke transformuar shërbimet tona publike në shërbime gjithmonë e më cilësore dhe transparente, duke i mbajtur ato gjithmonë e më larg korrupsionit dhe zvarritjeve që u kanë marrë shpirtin shqiptarëve në çdo cep të vendit”.

“Hallin që nuk ma zgjidh, të paktën ma qaj. Kjo duhet të jetë deviza e punonjësit të shtetit. Nuk do ta na e falë kush nëse nuk respektohet. Është e domosdoshme që ne ti japim siguri marrëdhënieve të njerëzve me shtetin. T’u japim siguri që buron nga e drejta e gjithkujt që të trajtohet me dinjitet dhe të marrë përgjigje për atë që kërkon, në kohën që e përcakton ligji”.

 

a.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.