Incidentet gjatë takimit të Hashim Thaçit me studentët. Klan Kosova: Ja videoja ku truproja dhunon studentin

Postuar në 08 Prill, 2014 13:02

 Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është përballur sot me cilësimet “Hajn” e “Mashtrues” nga një grup studentësh të UP-së, gjatë vizitës që u bëri në kuadër të parafushatës së tij, të pashpallur, edhe për një mandat në krye të qeverisë së vendit. Gazeta “Express” shkruan se kjo i ndodhi kryeministrit pasi drekoi bashkë me studentët në mencën e tyre dhe kur ka dalë nga aty, disa studentë të organizatës “Studim Kritikë Veprim” e pritën më thirrjet “Hajn” e “Mashtrues”. Gazeta shkruan se kryeministri ndërkaq u rikthye sërish në mencë për të pritur “deri sa të qetësohen”, siç do të shprehej ai ndërkohë. Pastaj ai iu është drejtuar gazetarëve duke rikujtuar kohën kur ai kishte qenë student dhe duke përsëritur premtimet të cilat “do t’i respektojë në plotni”, siç është shprehur ai.

Menjëherë pas kësaj ngjarje, në media qarkulloi lajmi se studentët ishin arrestuar por kjo u hodh poshtë përmes një reagimi zyrtar të Policisë së Kosovës.

“Sot rreth orës 11:30 për vizitë në Qendrën e Studentëve ka qëndruar Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi i përcjellë nga stafi i tij, i cili gjatë vizitës është pritur në takim nga drejtori i Qendrës së Studentëve z.Fatmir Sfishta. Pas përfundimit të takimit dhe pas drekës me studentët në mensën e Studentëve, kryeministri ka mbajtur një konference për media, ku gjatë realizimit të konferencës 4-5 studentë kanë ndërhyrë dhe e kanë fyer kryeministrin, me qëllim të pengimit të mbajtjes së konferencës. Për të mos u penguar realizimi i konferencës si dhe për shkaqe sigurie personat në fjalë janë larguar menjëherë nga sigurimi dhe gjithçka ka përfunduar pa ndonjë ekses”, thuhet në reagimin e policisë ku saktësohet se nuk ka ndodhur arrestimi i asnjë personi apo studenti nga zyrtarët policorë sikurse po pretendohej nga disa media.

Ndërkohë "Klan Kosova" ka transmetuar një video tjetër të incidentit. “Truproja e kryeministrit Hashim Thaçi, ka goditur njërin nga studentët e “Studim Kritikë Veprim”, të cilët, derisa Thaçi po vizitonte mencën e studentëve, bërtisnin “hajn, pis e mashtrues”. Në këtë video të xhiruar nga kameramani i “Klan Kosova”, shihet se si truproja godet studentin, e më pas jepen edhe shkelma” shkruan "Klan Kosova".

Shiko videon: http://www.youtube.com/watch?v=xDy0nlAnQY8

k.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.