Barinjtë e Gjadrit: Kemi parë kontrolle Ushtrie, por jo avionë në pistë

Postuar në 18 Prill, 2014 03:27

Tirana politike zien nga akuzat për trafik droge nga ish-baza ajrore, por banorët e Gjadrit janë indiferentë. Në pistën që dikur shërbente për ngritjen e aeroplanëve MIG, sot gjen plehra të hedhura, e diku ndanë saj, një grumbull të madh inertesh. Është kjo gjithë çfarë ka mbetur nga aeroporti i dikurshëm strategjik i Ushtrisë shqiptare. Pranë pistës takojmë Gjergjin, që bashkë me të shoqen kujdesen për një tufë delesh. “Nuk kemi parë prej kohësh të ulet ndonjë avion apo helikopter në pistë. Rasti i fundit ishte ai i përmbytjeve të zonës së Nënshkodrës, kur sillni ndihma me helikopterë”,-na përgjigjet Gjergji, kur e pyesim nëse kanë parë apo dëgjuar uljen e avionëve në pistë. Kureshtar për bisedën, pranë nesh afrohet edhe një 45-vjeçar i zbritur nga Kukësi. Por a kanë parë ata forca ushtrie apo policie, duke ushtruar kontrolle në zonë? Bariu nga Gjadri kujton një episod të pak ditëve më parë, kur forca të Ushtrisë dhe Policisë i kishin larguar nga pista, së bashku me bagëtitë. “Ka pak muaj që këtu u shfaqën njerëz nga Ushtria dhe policia. Na larguan që këtu dhe na thanë se duhej të bënin stërvitje”,-tregon më tej Gjergji për MAPO-n. Kjo periudhë përkon me tetorin e vitit të kaluar, kur pas informacioneve për uljen e një avioni të vogël, forca të Policisë Ushtarake, SHIU-t dhe policisë së Lezhës kanë ushtruar kontrolle në zonë. Të njëjtin fakt pohojnë edhe dy banorë të tjerë të zonës, të cilët e kujtojnë zbarkimin e forcave të Ushtrisë, si një ngjarje të pazakontë në pistën e Gjadrit.

***

Rrugës për në fshat, deri pranë aeroportit të braktisur, mjetet lëvizin normalisht, ndërsa ndonjë banor brenda gardhit të tij ushqen bagëtitë, thotë se ka kohë që nuk dëgjojnë më zhurmë avioni. “Tash janë mbyll në tunele e nuk fluturojnë ma”, – përgjigjet një tjetër banor i Gjadrit. Pasi ke lënë pas afërsisht 3-4 kilometra nga rruga kryesore, përpara del një sipërfaqe betoni e shtruar që zgjatet deri tek porta e bazës ushtarake. Një ushtar qëndron në vend roje dhe afrohet sapo na sheh të ndalojmë pranë portës. “Nuk e di nëse komandanti është këtu”,- thotë ai e shkon të pyesë. Përrreth zonës, syri të rrok ngrehinat e asaj që dikur duhej të ishte baza ajrore e Ushtrisë. Godinat dy- tri katëshe dhe një tjetër pesë katëshe, që banorët e quajnë “Hoteli” të japin përshtypjen se dikur këtu ka pasur jetë. Tashmë gjithçka është fikur. Pas pak minutash, aty mbërrin një burrë civil, që thotë se do ta njoftojë komandantin, por se tashmë orari zyrtar ishte i mbyllur. Pak minuta më vonë, komandanti mbërrin aty. I bëjmë me dije arsyen e vizitës, por ai na përgjigjet me kumt ushtarak: Vetëm komandanti i Forcës Ajrore mund të flasë! Baza që sot ka më pak se 20 efektivë ushtrie, ruhet me masa të zakonshme sigurie, edhe pse ajo ka një sipërfaqe të madhe dhe objekte që cilësohen të rëndësishme për t’u ruajtur. Ndërsa lëmë pas bazën me refuzimin e një zyrtarëve, drejtohemi për atje ku MIG-ët dikur çanin qiellin. Dy banorë që gjuajnë peshk në shtratin e lumit Gjadër, qeshin tek sa dëgjojnë historinë e avionëve, ndërsa e presin shkurt se ajo pistë nuk ka parë avionë prej vitesh të tëra. “Erdhën një herë amerikanët para shumë vitesh, qëndruan pak por më pas ikën”,- tregon një prej tyre, ndërsa shton se është e pamundur të fluturohet në atë pistë tashmë.

Avioni “Jet” që ngatërroi hetuesit e Ushtrisë

Disa muaj më parë, një grup specialistësh të Policisë së Shtetit, Ministrisë Mbrojtjes e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë vizituan bazën ajrore të Gjadrit e ngrehinat e saj, si dhe inspektuan të gjithë pistën. Gjatë inspektimit dhe kontrollit, është vërejtur se në një pjesë të pistës, pranë një banese, ndodhej një avion i vogël pasagjerësh i llojit “Jet”. Ky mjet fluturues është kontrolluar nga policia, e cila ka kryer edhe një këqyrje të tij si dhe një kontroll për gjendjen teknike. Është mësuar se mjeti nuk ishte në gjendje teknike për të fluturuar si dhe se kishte probleme të tjera të karakterit teknik. Ndërkaq kontrolli dhe këqyrja mësohet se ka vijuar edhe për të verifikuar nëse në mjet kishte objekte apo sende të paligjshme, apo mund të ketë pasur më parë. Ky verifikim ka rezultuar negativ, duke arritur në përfundimin se mjeti nuk kishte pasur sende të kundraligjshme në momentin e kontrollit. Inspektimi i kryer në bazë nga Shtabi i Ushtrisë, si dhe nga Policia e Shtetit, është referuar nga palët në një relacion që më pas mësohet se iu është nisur qendrës.

 

Mapo, Nga Gjadri/ Dashamir Biçaku

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.