Eduard Kuka: Dështimi i një deklarate të përbashkët, do dëmtojë Shqipërinë

Dështimi i një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës në Bruksel është komentuar edhe nga eurodeputeti dhe kryetari i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan. Në një prononcim për Top Channel ai ka komentuar se ky dështim do të dëmtojë Shqipërinë, sepse ky komision do të raportojë gjithçka në Këshill në muajin qershor për ç’ka nuk ranë dakord palët. “Në fakt, gjatë takimit tonë të fundit në Komitetin e Stabilizim-Asociimit mes Parlamentit Europian dhe Shqipërisë nuk u ra dakord për një deklaratë të përbashkët. Qëndrova për rreth 4 orë me delegacionin dhe më pas më duhej të largohesha, por ata u pajtuan dhe unë vlerësoj pozitivisht faktin që nuk donin ta mbyllnin pa marrëveshje, pasi thanë se do të vazhdonin bisedimet politike, dhe në të vërtetë kështu duhej të ndodhte. Ata vazhduan punën në Shqipëri disa herë dhe, teksa po vjen fundi i mandatit tonë në Parlament, ata e kuptojnë se kjo është koha e përshtatshme që duhet ta konsolidojnë këtë marrëveshje. Pra, këtë javë bisedimet filluan tepër intensive, por përfundimisht nuk u arrit marrëveshje, gjë për të cilën më vjen shumë keq. Secila palë tashmë do të mundohet t’ia hedhë fajin palës tjetër. Nuk dua të them se cila palë është më tepër përgjegjëse, vetëm dua të nënvizoj se mënyra europiane është për negociata dhe për arritjen e kompromiseve. Këtë mundohemi t’u shpjegojmë partnerëve tanë në Shqipëri, që ju lutemi flisni me njëri-tjetrin, grinduni, bëjeni sa më dramatike, por ju duhet të arrini në marrëveshje, sepse kjo është mënyra europiane për zgjidhjen e problemeve. Fakti që nuk ka marrëveshje do ta dëmtojë shumë Shqipërinë, sepse në Këshillin e Qershorit do të diskutohet sërish për statusin kandidat. Në Këshillin e fundit u vlerësuan tendencat pozitive që vinin nga vendi, kultura politike e dialogu ekzistonin aty, por Këshilli donte të nënkuptonte që këto qëndrime kishin jetëgjatësi, e nëse do të arrihej deri në rezultate. Kjo ishte mundësia e artë për të treguar se nuk vijonte tendenca afatshkurtër. Për fat të keq, Komisioni do të shkruajë se nuk pati marrëveshje, nuk u arrit kompromis politik, pra nuk e di se ç’rezultat do të sjellë kjo në Këshill. Unë mendoj se, politikisht, ju humbët një shans shumë të mirë për të treguar se situata në Shqipëri ka ndryshuar për mirë”, theksoi Eduard Kukan, kreu i delegacionit për Ballkanin në BE.
https://www.youtube.com/watch?v=9wDrbkQzWAc
S.S
Add new comment