Mapo: Shumica “në sulm”/ Komision hetimor për akuzat e trafikut të drogës përmes strukturave ushtarake

Shumica qeverisëse ka vendosur të kalojë në sulm, ndërsa ka shpallur kërkesën për një komision hetimorë në lidhje me akuzat e opozitës për trafik narkotikësh në bazat e ushtrisë. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe i LSI-së kanë depozituar sot në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor lidhur me akuzat e opozitës për përfshirjen e strukturave të Forcave të Armatosura dhe Ushtrisë në trafikun e drogës. Lajmi bëhet me dije nga Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla. “Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe Grupi Parlamentar i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim kanë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për zbardhjen e plotë të motiveve dhe arsyeve, verifikimin e plotë të fakteve dhe të provave që provojnë ose përgënjeshtrojnë akuzat e artikuluara publikisht nga përfaqësues të lartë politikë kundrejt Forcave të Armatosura për vënien në dispozicion të infrastrukturës së Ushtrisë për veprimtari kriminale: “transport i lëndëve narkotike”, tha Balla. Zbardhja e plotë të motiveve dhe arsyeve, si dhe tregimin e fakteve dhe provave, mbi të cilat janë mbështetur këto akuza, kanë një rëndësi të veçantë për imazhin e Forcave të Armatosura të një vendi anëtar të NATO-s, në përmbushje të detyrimeve që rrjedh nga ky anëtarësim.”- bën me dije Balla. Ai thekson se ky Komision Hetimor do të jetë garanci për të provuar ose jo akuzat e ngritura. “Nisur nga akuzat e ngritura, këto ditët e fundit nga përfaqësues të lartë politik, në lidhje me implikimin e Forcave të Armatosura dhe bazave ushtarake të saj në veprimtari kriminale “transportin e lëndëve narkotike”, akuza të cilat nëse nuk mbështeten në fakte dhe në prova konkrete, cënojnë në mënyrë të hapur punën e Forcave të Armatosura, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në përmbushje të angazhimeve të cilat rrjedhin nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Këto akuza nëse nuk mbështeten në prova dhe në fakte dëmtojnë rëndë imazhin dhe perceptimin publik në lidhje me Forcat e Armatosura, si brenda vendit ashtu dhe në arenën ndërkombëtare.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe Grupi Parlamentar i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim kanë kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor me objekt të punës së tij: “Verifikimin e akuzave të artikuluara publikisht nga përfaqësues të lartë politikë kundrejt Forcave të Armatosura për vënien në dispozicion të infrastrukturës së Ushtrisë për veprimtari kriminale: “transport i lëndëve narkotike”.”- deklaroi Balla.
Deputeti i PS u shpreh se Komisioni Hetimor do të kërkojë administrimin e provave dhe fakteve, mbi të cilat këta përfaqësues të lartë politikë kanë mbështetur akuzat. “Ngritja e këtij komisioni, shikohet si një garanci për të provuar ose në të kundërt për të përgënjeshtruar akuzat e ngritura nga përfaqësues të lartë politikë. Ky Komision Hetimor Parlamentar do të kërkojë administrimin e provave dhe fakteve, mbi të cilat këta përfaqësues të lartë politikë kanë mbështetur akuzat e tyre kundrejt Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për vënien në dispozicion të disa bazave ushtarake dhe të infrastrukturës së Ushtrisë për veprimtari kriminale: “transport i lëndëve narkotike”.
Nëpërmjet ngritjes së këtij komisioni kërkohet edhe informimi i opinionit publik, për vërtetësinë ose pavërtetësinë e këtyre akuzave. Kërkohet të informohet opinioni publik për angazhimin që ka marrë përsipër Qeveria shqiptare, për të identifikuar dhe parandaluar cdo shfaqje dhe veprim korruptiv me pronat dhe infrastrukturën e Forcave të Armatosura si dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, me qëllim rikthimin e dinjitetit të munguar dhe vendit që i takon Forcave Armatosura,”- sqaroi Balla.
Add new comment