Basha ashpërson qëndrimin: Jo protesta, por revolta

Pas akuzave të ndërsjella të palëve për përdorimin e infrastrukturës së ushtrisë shqiptare në trafiqe ndërkombëtare të lëndëve narkotike, ashpërsohet gjuha komunikuese pozitë-opozitë. Duke refuzuar që të bëhet pjesë e hetimit parlamentar për përdorimin e ushtrisë në trafikun e drogës, të kërkuar nga mazhoranca të premten e kaluar, opozita kërcënoi dje me revolta popullore në rast se mazhoranca nuk bën transparencën e plotë të kësaj çështjeje. “Ky është një moment shumë i rrezikshëm për fatin e demokracisë në vend. Ne jemi në këmbë e do të jemi në këmbë. ‘Shqipëria në protestë’ është gati të bëhet ‘Shqipëria në revoltë’ kundër kërcënimit të demokracisë nga oligarkia Rama-Meta”- kërcënoi nga selia blu kreu i PD-së Lulzim Basha, gjatë mbledhjes së përjavshme të grupit parlamentar demokrat.
Trafiku i drogës
Në mbledhjen e djeshme, kryedemokrati kundërshtoi objektin e hetimit të komisionit të kërkuar nga PS-LSI, duke ironizuar reagimin e qeverisë ndaj akuzave të opozitës. “Të enjten e kaluar u munduan të sillen si gaztor. Këtë të enjte do të sillen si të shkalluar. Objekti i hetimit po çudit shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Duan të hetojnë pse u tha, pse e panë. Duan t’u japin mësimin e heshtjes punonjësve të SHISH-it edhe drejtësisë. Ky është qëndrim që mund ta mbajë vetëm dikush që ka mizën nën kësulë. Nuk tërhiqemi për asnjë arsye dhe asnjë çmim. Mazhoranca ka të njëjtin informacion nga një burim zyrtar që posedojmë ne dhe qeveria. Ujkun s’e krijuam ne. Kemi dhënë alarmin e nuk ndalemi”, – deklaroi Basha. Në këtë linjë, kryedemokrati bëri të ditur se opozita nuk tërhiqet nga kërkesa e saj për të bërë transparencën në Kuvend. “Transparenca për trafikun e drogës në FA do të fillojë nga një stad i ri, ai i njohjes së fenomenit dhe nga qeveri dhe do të ketë hapin tjetër, atë të njohjes me qëndrimin e mbajtur nga kjo qeveri dhe verifikimin e informacionit dhe përmasat e marra. Për këtë arsye, deputetët e PD-së e kanë thirrur sërish në komision, ministren Kodheli, për ta pyetur dhe për të diskutuar për trafikun e lëndëve narkotike, duke shfrytëzuar mjetet logjistike dhe asetet e FA”- u shpreh kreu i PD-së. Sa u përket informacioneve të PD-së, Basha këmbënguli se ato janë të besueshme, pasi janë të njëjtat që disponon edhe qeveria. “Mazhoranca ka informacion për këtë çështje. Mazhoranca ka të njëjtin burim informacioni që ka edhe opozita. Shqiptarëve u ka bërë përshtypje fakti se krerët e qeverisë për disa ditë me radhë, refuzuan transparencën dhe akuzuan opozitën se po shpifte, por më në fund, falë argumenteve dhe ngulmimit tonë, u detyruan të pranojnë që janë në dijeni të aferës”, – theksoi Basha.
Rezoluta e PE-së
Ndërsa për dështimin e konsensusit mes palëve për firmosjen e rezolutës së përbashkët që do t’i dorëzohej Parlamentit Europian javën e kaluar, kreu i opozitës fajësoi kreun e mazhorancës Edi Rama, i cili sipas Bashës, në fazën përfundimtare të rezolutës hoqi dorë nga bashkëpunimi duke i kthyer negociatat në fazën fillestare të saj. “E prishën sepse amendamenti, për rrjedhim rezoluta, nuk përputhej me axhendën e ngarkuar të zhbërjeve dhe sulmeve që ka shpalosur e po shpalos shumica Rama-Meta për të uzurpuar institucionet e pavarura. Pasi uzurpuan në mënyrë të paligjshme kreun e ILDKP-së, tashmë po përpiqen ta legalizojnë kapjen politike të këtij institucioni, duke vënë tërësisht nën kontroll procedurën e emërimit. Mazhoranca po i merr Presidentit të Republikës të drejtën e propozimit të kandidaturave për kreun e ILDKP-së”, – tha Basha. Me heqjen e kompetencës së Presidentit, vijoi ai, dyshja Rama-Meta zhbën përfundimisht pavarësinë e ILDKP-së dhe, sipas tij, misioni antikorrupsion i ILDKPKI-së kthehet vetëm në një farsë të turpshme. Po ashtu, kreu i opozitës akuzoi mazhorancën për heqjen e kompetencave të Presidentit për të qenë komandant i FA-së, si dhe të drejtën për të zgjedhur anëtarët për Gjykatën e Lartë. “Tani kushdo e ka të lehtë të kuptojë qartë arsyen pse i futën shkelmin rezolutës. Midis statusit në një anë dhe etjes për kapjen dhe kontrollin e institucioneve të pavarura në anën tjetër, kanë zgjedhur këtë të dytën. Mes Europës për shqiptarët dhe pushtetit oligarkik për vete, ata kanë zgjedhur këtë të fundit. Mes interesit publik kombëtar dhe interesit vetjak antipopullor, kanë zgjedhur vetjakun. Ndaj e hodhën në kosh rezolutën”, – u shpreh Basha.
Shqip
Add new comment