Pronat, 23 vite konflikte

Konflikti për pronën është një nga më të përgjakshmit sot në Shqipëri. Në 20 vitet e fundit nga të dhënat e bëra publike raportohet se janë vrarë për cështje pronësie rreth 8200 persona, numër i cili mund të konsiderohet një bilanc lufte. Fenomeni fatalist vjen kryesisht për shkak të kaosit të dokumentacioneve dhe hartave të pronave.
Kjo është ana e humbjeve njerëzore dhe më e rënda, por fatura e pronave shkon edhe më larg. Përtej lënies së hapur të mundësive për të gjeneruar konflikte të tjera, shteti aktualisht ka mbi supe një barrë tejet të madhe financiare për të kompensuar ish-pronarët. Faturë e cila më së shumti u rëndon xhepave të taksapaguesve.
Në fund të këtij muaji, me 30 prill, përfundon afati i vendimmarrjes se AKKP për dosjet e patrajtuara, të cilat janë 7300. Por edhe pse agjencia ka detyrë kryesore të marrë vendim për këto dosje, prej shtatë muajsh nuk është marrë asnjë vendim. Duke e bërë situatën e pronave edhe më kaotike. Ligji i vitit 2004 parashikon që brenda 2014 të përfundojë procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave, gjë e cila tashmë duket e pamundur.
Sipas një studimi të realizuar nga Shoqata “Pronësi me Drejtësi”, fatura financiare e pronave disa vite më parë kapte shifrën e 20 miliard eurove dhe duke pasur parasysh ligjin 7501, ku çdo pronë që nuk kthehet fizikisht transformohet në faturë financiare, kjo faturë rëndon direkt për të gjithë taksapaguesit shqiptarë.
Se sa përkthehet kjo barrë në terma financiarë, asnjë qeveri nuk ka bërë ndonjëherë publike shifrën. Dhe po t’i bashkëngjisësh edhe faturën financiare që Strasburgu i dërgon qeverisë shqiptare për të dëmshpërblyer pronarët, kostoja bëhet e pallogaritshme.
Në pamundësi për të zgjidhur çëshjen e pronave, pronarët kanë gjetur si aleatin e tyre Gjykatën e Strasburgut. Por, vetëm për 413 çëshjte të pranuara për gjykim në Gjykatën e Strasburgut, janë paguar 1.5 miliard euro. Po për rreth 50 mijë vendime që kanë kompensim, sa shkon fatura financiare nëse ato të gjitha do t’i drejtoheshin Strasburgut?
Në datën 8 prill të këtij viti, kjo gjykatë mori vendim për 10 kërkesa me vlerë 8 milion euro. Ndërkohë që më parë është bërë i ditur vendimi se kjo gjykatë ka pranuar si të drejta 101 çështje për pronësi. E nëse edhe për ato jepet vendimi, sa do të jetë kostoja e radhës për shtetin?
Familja nga Durrësi që kërkon drejtësi
Në prillin e katër viteve më parë, nën efektin e zhgënjimit të pamatë për moszgjidhjen e cështjes së pronësisë, ai mori tre nga katër fëmijët e tij dhe u ngjit në tarracën e një pallati përballë Ministrisë së Drejtësisë duke kërcënuar me vetëhedhje. Sot, kur kanë kaluar disa kohë nga ngjarja, Feriz Haxhija nga Durrësi rrëfen për shkaqet që e çuan të ndërmarre atë veprim, aq shumë të komentuar ato ditë, por tashmë të lënë krejt në harresë. “Kishim besimin se diçka do të zgjidhej, ndaj i mora dhe fëmijët për të treguar që janë tre fëmijë që nuk kanë bukë të hanë. Janë në një fukarallëk ekstrem dhe i mora me vete, ndoshta deri aty nuk do të arrinim. Mund të hidhesha unë, por jo fëmijët. Kishim besim që do na jipnim të drejtën që na takon, por edhe kjo s’ndodhi. Nuk na jepte kurrkush të drejtën. Vetëm na sorollatnin. Paguaj lekë këtej, paguaje lekë andej. Me borxhe deri në fund dhe nuk e dimë se si do paguajmë këto borxhe që kemi paguar për atë pronë”, thotë Ferizi.
Kryefamiljari, pronar i një trualli prej 50 dynymë në zonën e Shkozetit, tokë e trashëguar nga i ati, bën deklarata të forta për të ardhmen ne rast se problemi i tij nuk do të gjejë zgjidhje.
“Nuk jam penduar fare që mora edhe fëmijët aty lart, biles-biles këtë ta them me bindje të plotë që fëmijët do ta instruktoj edhe për gjëra të tjera, se prona është pronë dhe nuk i falet kurrkujt. Instruktimi? Në mënyrë ligjore po e kërkoj unë pronën. Po nuk e mora unë në mënyrë ligjore, cfarë të kërkojnë më në mënyrë ligjore fëmijët e mi?! Mund ta kërkojnë në mënyrë tjetër, apo dikush tjetër që jemi këtu sepse prona s’i falet kurrkujt”, thotë ai. Djali i tij 14 vjeç, Geni flet me po të njëjtën bindje si babai. “Do bëja cfarëdo që babi të më kërkonte”, thotë djaloshi.
Familja Haxhija jeton vetëm me ato pak para që fiton zonja e shtëpisë, e cila punon gjatë natës në një furrë buke. Kjo gjë e bën më tepër vuajtës Ferizin, i cili ka trashëguar një pronë nga e cila nuk përfiton praktikisht asnjë metër.
“Asnjë metër të kthyer. Prona jonë përfitohet nga të tjerët, fitojnë të tjerët me pronën tonë. Ne vuajmë ata janë bërë milionerë. Kjo punë nuk duhet të shkojë kështu gjithë jetën. Nuk ka ku të shkojë më keq se sa ne, me një rrogë 200 mijë lekë, me një punë të zezë me ditë dhe me gjashtë vetë për të mbajtur, me katër fëmijë që duhet t’i coj në shkollë. Biles ndonjëherë më mbushet mendja që t’i heq nga shkolla fare”, shprehet ai.
Pritja e tij e ka një kufi. Krejt gjakftohtë Ferizi i bën vetes një premtim.
“Nuk e them për presion, por e them publikisht me burrëri dhe fjalë të mbajtur, një ditë nuk e di se si mund të kurdiset, ka njerëz të pafajshëm aty që punojnë për copën e bukës, por unë ua kam bërë të qartë edhe atyre qëkur kam hipur në tarracë, ajo pronë është pronë private, është prona ime”, thotë Ferizi.
/ Top Channel/
Comments
z.Feriz Haxhija...keta
<p>z.Feriz Haxhija...keta kriminele keshtu na kane sorrollatur te gjitheve. Kemi 20 vjet neper gjykata super te korruptuara dhe nuk shijojme dot pronat e baballareve tane.</p><p>Kjo ishte demokracia berishes.</p>
Add new comment