Të verbërit që paguajnë për RTSH-në!

Besojeni ose jo, por një i verbër në Shqipëri paguan taksën e Televizionit Publik. Denoncimi vjen nga kryetari i shoqatës së të verbërve Sinan Tafaj, pas disa rasteve të ndodhura në Pogradec. Pa deklaruar shifrat e personave të prekur nga kjo shkelje, Tafaj tregon se gjatë pagesës së faturës së energjisë elektrike, familjarët e të verbërve, por dhe invalidëve të kategorive të tjera, janë detyruar të paguajnë edhe taksën e Televizionit Publik Shqiptar. Kryetari i shoqatës së të verbërve i bën apel kompanisë CEZ të korrigjoje gabimin pasi invalidët janë të përjashtuar nga taksat.
E kontaktuar nga Vizion Plus, zyra e shtypit pranë kompanisë CEZ mohon të kenë ndodhur gabime të tilla. Megjithatë ekzistojnë dy opsione që këta persona të jenë përfshirë në pagesën e tarifës për Televizionin Publik e cila është 100 lekë çdo muaj. Këta persona janë invalidë, por nuk kanë marrë statusin dhe s`figurojnë në listën zyrtare të aftësisë së kufizuar ose nuk figurojnë si kryefamiljar në kontratën e energjisë elektrike. Pasi nëse invalid është familjari ai nuk përfiton nga shmangia e taksave. Dy vjet më parë, invalidëve iu hoq nga qeveria Berisha, kompensimi i energjisë elektrike. Pagesa e faturës së dritave njësoj si të tjerët, u ka krijuar probleme me taksën e TVSH që me ligj kjo kategori është e përjashtuar./Vizion Plus/
Add new comment