Ish-punonjësi i SHISH për shkresën e dyshimeve mbi trafikun e drogës: Ka mangësi, nuk do të doja të isha në vendin e atij që e ka firmosur

Një ish-punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror analizon shkresën e dërguar nga shërbimi sekret për Ministrinë e Mbrojtjes, publikuar pak ditë më parë në media, ku shfaqeshin dyshimet për trafikun e drogës përmes avionëve. Petrit Zambaku ish-punonjësi i Shërbimit Informativ Shtetëror për 10 vjet në Departamentin e Analizës, në një intervistë për Top-Channel duke analizuar shkresën dërguar nga SHISH Ministrisë së Mbrojtjes deklaron se kreu SHISH, Visho Ajazi Lika do të ketë një përballje dhe llogaridhënie të vështirë përballë Komisionit Parlamentar për ato informacione që mbajnë firmën e tij. Por pse?
“Të gjitha dyshimet duhet të pasqyrohen në dokumentacionin që prodhon dhe administron SHISH. Rregullat e prodhimit dhe administrimit të dokumentacionit janë të mirëpërcaktuara. Dyshimet duhet të jenë të pasqyruara. Këtë cështje duhet ta kishte vërtetuar deri në fund. Sepse qëllimi nuk është propagandimi i këtij veprimi se në Gjadër, ulet apo është ulur është çështje tjetër. Qëllimi është hetimi me detaje i çështjes . Kush e realizon këtë trafik? Kur e realizon? Kur do të vijnë prapë? Si mund të kapen në flagrancë? Pra duhet vërtetuar gjithçka. Vetëm atëherë shërbimi e ka bërë punën. Shërbimi pa bërë këtë nuk ka bërë asgjë. Shërbimi ka barrën e provës për të vërtetuar të gjitha ato sa thuhen në këtë dokument. Dhe kjo vërtetohet duke paraqitur dokumentacionin shoqërues nga i cili është prodhuar ky relacion. Unë nuk do ta doja aspak të isha në vendin e atij që e ka firmosur këtë dokument”, thotë Zambaku,i cili tani drejton Institutin për Sigurinë dhe Kontrollin Demokratik.
Duke iu referuar shkresës, ai shpreh habinë përse ajo nuk i ka shkuar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani i cili deklaroi disa ditë më parë se “deri ditën që u bënë deklaratat në parlament nuk ka patur informacion”. “Një informacion i tillë duhet t’i shkonte patjetër Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura sepse atij i dërgohen informacione shumë më të parëndësishme se ky”, mbyll deklaratën e tij Zambaku. Pak ditë më parë,në kulmin e akuzave dhe debateve mes mazhorancës e opozitës mbi teorinë e përdorimit të ushtrisë në trafik droge, në një emision televiziv u publikua një shkresë e SHISH. Në shkresë, jepeshin detaje se një avion i vogël sportiv i bardhë është ulur në aeroportin e Gjadrit dhe citohej se ka dyshime serioze për shfrytëzimin e aeroportit Gjadër në funksion të trafikut të drogës.
Për më shumë: http://www.top-channel.tv/artikull.php?id=276931
k.k
Add new comment