Ish deputeti Fatos Hoxha: Lidershipi i Bashës, berishizëm i mbushur me “botoks”

Në një intervistë për revistën Klan, ish deputeti i PD-së Fatos Hoxha, një tjetër zë kritik ndaj zhvillimeve në parti pas 23 qershorit 2013, shigjeton kryetarin Lulzim Basha se e ka shndërruar PD-në në një parti “të kapur”. “… U përfshinë njerëz të diskredituar politikisht apo me probleme të mprehta korrupsioni, ish titullarë institucionesh me emër të zi sterrë, eksponentë historikë të PS-së ose kundërshtarë të dhunshëm kundër demokratëve dhe qeverisjes demokrate, njerëz apolitikë dhe pa lidhje në bazën demokratike, personazhe me lidhje të forta me krimin dhe të kamufluar, një pjesë e tyre edhe në listat e aleatëve, apo individë që ditën e zyrtarizimit të listave, mesazh të parë elektoral në çdo tavolinë kishin mburrjen për shifrën e eurove apo dollarëve me të cilin kishin blerë kandidimin”, thotë Hoxha. Ai njofton se Preç Zogaj është këshilltari i parë politik i Bashës, dhe e përshkruan kështu drejtimin e ri të partisë:
“PD është futur në mënyrë të paevitueshme në një epokë të re në historinë e vet. Në epokën post-Berisha. Miqtë mediatikë të Kryetarit Basha e kanë emërtuar këtë Bashizëm, Basha vetë e ka quajtur "fillim i ri"…. Si lidership i ri po na paraqiten figura të diskredituara të qeverisjes së vjetër ose njerëz pa ngjyrë që sponsorizohen dhe stimulohen nga pronarë mediash ose biznesesh të dyshimta si "gjetje" të mëdha. Nismat politike vijnë të gjitha nga Facebook-u i Berishës, deklaratat e shtypit kanë të gjitha fjalorin, terminologjinë, mesazhet dhe batutat e kësaj faqeje online. Në Kuvend, PD përfaqësohet vetëm nga Berisha, metoda e opozitës parlamentare është ajo që Berisha ka kultivuar në këto 23 vjet. A është ky "fillim i ri"? A është ky "Bashizëm"? Unë do thosha jo! Nëse "guxojmë" ta quajmë Bashizëm, atëherë "Bashizmi" nuk është gjë tjetër veçse "Berishizëm i mbushur me botoks"”.
Lexoni më gjatë në linkun: http://www.revistaklan.com/index.php?id=4929&mod=2
a.k
Add new comment