100 milionë dollarë për uljen e përqindjes së kredive të këqija

Banka Botërore ka miratuar një hua prej 100 milionë dollarë për politikat e zhvillimit për Modernizimin e Sektorit Financiar të Republikës së Shqipërisë. “Huaja ka si synim të forcojë sistemin rregullator financiar dhe regjimin mbikëqyrës si dhe të zbusë cënueshmërinë e sektorit bankar dhe jobankar”, thuhet në njoftimin e BB-së.
BB sqaron se kjo është një hua e veçantë për politikat për zhvillim e cila lëvrohet me një këst të vetëm ndërsa Bankës Botërore do të mbështesë autoritetet në zbatimin e këtyre reformave.
Huaja mbështet reformat në tri fusha:
Fusha e parë përqendrohet tek forcimi i aspekteve rregullatorë dhe mbikëqyrëse të sektorit privat dhe tek përmirësimi i rrjetës së sigurisë financiare. Këto përpjekje pritet që të përmirësojnë përgatitjen e bankave për të përballuar krizat dhe të përmirësojnë kuadrin e sigurimeve të depozitave.
Fusha e dytë mbështet përshpejtimin e zgjidhjes për kreditë e këqija. Si rezultat i këtyre masave, përqindja e kredive të këqija pritet që të ulet në mënyrë të konsiderueshme deri në fillim të vitit 2015. Reduktimi i kredive të këqija do të mbrojë stabilitetin financiar dhe do t’u japë mundësi më mira bankave që t’iu përgjigjen kërkesave për kredi.
Fusha e tretë përqendrohet në forcimin e aspektit rregullator e mbikëqyrës për institucionet financiare jobankare. Ajo përpiqet të forcojë pavarësinë operacionale dhe kapacitetin e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, duke e lejuar që rregullojë dhe të mbikëqyrë institucionet financiare jobankare (IFJB) në mënyrë sa më efektive.
S.S
Add new comment