5 variantet e ndarjes territorial, Fino: Vendosim javën e ardhshme, opozita të bëhet pjesë

Ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi ka prezantuar para Komisionit të posaçëm të Reformës Territoriale dhe në prani të kryeministrit Rama e kryeparlamentarit Meta, pesë variantet e hartës së re administrative të Shqipërisë.
Varianti i parë i propozuar nga qeveria përcakton ndarjen e hartës në 30 njësi qeverisje vendore; varianti i dytë propozon ndarje në 39 njësi; varianti i tretë në 47 njësi, i katërti në 75 njësi vendore, ndërsa varianti i fundit propozon ndarjen në 63 njësi.
Pas prezantimit në mënyrë kronologjike të hapave të ndjekur nga qeveria për ndarjen e re territoriale, ministri Çuçi tha se, realizimi i varianteve të paraqitura është mbështetur mbi kriteret e përcaktuara nga komisioni i parlamentar.
Ndërkohë, Kryetari i Komisionit të posaçëm për Reformën Territoriale, Bashkim Fino, i bëri sërish thirrje opozitës që të bëhet pjesë e tij, ndërsa bëri të ditur se brenda javës së ardhshme do të përzgjidhet dhe varianti fitues për hartën e re administrative.
“Ne dhe njëherë po ju japim mundësinë të gjithëve, dhe opozitës, që të bëhet pjesë e procesit për të vendosur dhe ajo për një nga variantet që u folën këtu. Edhe nëse opozita ka mendime të tjera, është e mirëpritur”, tha Fino.
“Do iu lëmë kohë partive politike dhe nga mesi i javës së ardhshme do të bëjmë një mbledhje përfundimtare për të vendosur për një nga variantet. Pas këtij momenti, për rreth dy muaj do të nisim konsultimet në të gjithë Shqipërinë, para se ligji të miratohet në Kuvend, brenda 31 korrikut”.
Add new comment