Mapo: Një ish-drejtues policie pas avionit të Divjakës, zbardhet skema e trafikut

Postuar në 04 Qershor, 2014 04:59

Tiranë Hetimet për trafikun e drogës me avion kanë nxjerrë të dhëna të reja që implikojnë një ish-punonjës policie dhe tre persona të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ish-polici, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimore, dyshohet se ka patur rol të rëndësishëm në gjetjen e dhe transportin e lëndës narkotike që do të ngarkohej më pas në avionin e drejtuar nga piloti italian, Giorgio Riformato. Sipas prokurorisë, mësohet se lënda narkotike është siguruar në Lazarat, pasi ish-oficeri, tashmë i shpallur në kërkim, ka mbajtur pozicione drejtuese në policinë e Gjirokastrës. Grupi hetimor ka siguruar pamje filmike dhe të dhëna të tjera, që sipas prokurorisë rrëzojnë dëshminë e dhënë nga Saimir Bajrami, i arrestuar si poseduesi i kanabisit të sekuestruar nga policia në plazhin e Divjakës. Hetimet për ish-oficerin e policisë u kryen pas sekuestrimit të pamjeve filmike në një hotel në qendër të kryeqytetit, ku shfaqej piloti italian, Giorgio Riformato, Saimir Bajrami dhe një person i tretë, fillimisht i paidentifikuar. Të tre personat ishin takuar disa herë mes tyre në ambientet e hotelit, aty ku dyshohet se kanë koordinuar edhe detajet e fundit për transportin e lëndës narkotike me avion drejt Italisë. Por pas identifikimit të personit të tretë, hetimi ka marrë rrjedhë krejt tjetër, pasi bëhet fjalë për një ish-punonjës policie, i cili ka punuar edhe në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, e që dyshohet se lëndën narkotike e ka siguruar në Lazarat. Personi në fjalë ka marrë përsipër edhe transportin e saj në plazhin e Divjakës, aty ku Bajrami priste avionin për trafikimin e saj drejt Italisë. Burime të prokurorisë thonë se i dyshuari, për shkak të detyrës ka krijuar njohje në Lazarat, aty ku mendohet të ketë siguruar lëndën narkotike për llogari të Bajramit, duke rrëzuar kështu dëshminë e këtij të fundit se drogën e kishte blerë nga një person me emrin “Agron” në Krujë. Për ish-punonjësin e policisë, i cili ka patur rol drejtues gjatë kohës që ushtronte detyrën, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”  dhe është në pritje të ekzekutimit të kësaj mase nga policia. Por veç ish-policit, në këtë çështje implikohen edhe tre persona të tjerë nga qyteti i Lushnjës. Policia arrestoi njërin prej tyre, 24-vjeçarin Aurel Pupe, gjurmët e të cilit dolën në natribanin me të cilin ishte mbështjellë lënda narkotike. Por në mbështjellëset e lëndës narkotike kanë dalë edhe gjurmët e të paktën tre personave të tjerë, të cilët gjithashtu janë shpallur në kërkim si të dyshuar për trafik narkotikësh në bashkëpunim. Nga hetimet e deritanishme është provuar se Pupe dhe Bajrami nuk kanë asnjë lidhje mes tyre, çka konfirmon versionin e 35-vjeçarit nga Kruja, se në datën 10 maj, në plazhin e Divjakës ishte edhe një tjetër automjet në pritje të avionit. Ai përshkruan në dëshmi se tre persona ishin në një automjet “Passat” duke pritur avionin. Sipas prokurorisë mësohet se të dyshuarit kanë lënë në plazhin e Divjakës një pjesë të lëndës narkotike, teksa nxitonin të largoheshin pasi kanë parë shkëputjen e rrotës nga avioni i Riformatos. Është konfirmuar se ka qenë Bajrami ai që solli Riformaton në Tiranë, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike me avion, por ende nuk është zbuluar personi që lidh të rinj nga Lushnja, tre prej të cilëve janë shpallur në kërkim me 35-vjeçarin Saimir Bajrami. Të dy “grupet” kanë qenë në plazhin e Divjakës më 10 maj, por dyshohet se ata janë koordinuar nga i njëjti person, pa vënë në dijeni të dyja palët, të cilat janë përballur mes tyre gjatë kohës që prisnin avionin. Ky person, sipas prokurorisë është i paidentifikuar.

 

Droga nga Lazarati

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbuluar se 460 kg kanabis nuk janë siguruar në Krujë, siç dëshmonte Saimir Bajrami, por në Lazarat. Lënda narkotike është siguruar nga një ish-oficer policie, i cili ka punuar edhe në qytetin e Gjirokastrës

 

Paketimi në Lushnjë

Hetimi ka zbuluar se përveç Saimir Bajramit, në vendin ku ra avioni ndodhej edhe një grup tjetër trafikantësh. Pas arrestimit të Aurel Pupës, janë shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë që kanë paketuar drogën me letrat e natribanit

 

Destinacioni në Itali

Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton edhe se ku ishte planifikuar të zbarkohej lënda narkotike në Itali. Hetuesit kanë marrë disa herë në pyetje Riformaton, por ai mohon të jetë implikuar në këtë çështje

 

Leonard Bakillari

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.