Qeveria miraton ndryshime ligjore për kompensimin e të përndjekurve. Veliaj: “70% e pagesave për ata që janë gjallë. Pastaj trashëgimtarët”

Qeveria ka vendosur sot të ndryshojë në thelbin e vet ligjin për ish-të përndjekurit politikë, duke rregulluar formulën e kompensimit. Ndryshimin në ligj e ka bërë publik pas mbledhjesë qeverisë, ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj. “Baza kryesore e ndryshimeve në ligj ka të bëjë me ndryshimin e rendit të pagesave për të përndjekurit. Ju e dini fare mirë që ligji parashikon ndarjen në 8-të këste, por 8-të këste ndaheshin sipas dosjeve dhe jo detyrimisht sipas individëve, çka nënkupton që rreth 80 % e dosjeve u jepeshin pagesa njerëzve që nuk jetojnë më, që do të thotë se pagesat bëheshin për trashëgimtarët e tyre. Ligji e përmbys këtë raport; 70 % e pagesave do të bëhet për ata persona të cilët janë vetë gjallë dhe vetë kanë bërë burg, ose kanë status të përndjekuri, dhe vetëm 30 % e pagesave vjetore, nga buxheti vjetor, do të bëhet për ata që janë familjarë, ose ndryshe quhen trashëgimtarë”, tha Veliaj. Po kështu prioritet do të kenë ish-të dënuarat femra, të cilat me siguri që janë shumë pak në numër. Ai ka vijuar më tej me aspekte të posaçme të ligjit, i cili do të duhet që t’i japë fund grevës së urisë së të përndjekurve. Kjo pasi nëse qeveria nuk ka negociuar me ta në çadër, ka propozuar ndryshime ligjore, që është edhe reagimi më i prekshëm për çështje të ndjeshme si kjo në fjalë.
s.z
Add new comment