Fillon mbledhja e ministrave të Jashtëm të BE-së, nesër statusi për Shqipërinë

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian janë mbledhur sot në Luksemburg në një takim dy ditor ku pritet të merret dhe një vendim për statusin kandidat për Shqipërinë. Në ditën e parë të punimeve nuk do diskutohet për Shqipërinë, ndërsa kjo çështje do të jetë në axhendë vetëm ditën e nesërme.
Para nisjes së mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, në një prononcim për EbS+ disa prej ministrave të Jashtëm kanë komentuar se nëse do jenë në krah të Shqipërisë apo jo nesër.
Disa kanë zgjedhur të komentojnë se do jenë pro statusit për Shqipërinë, ndërsa të tjerë, e kanë lënë surprizën për nesër.
Kështu, ministri i Jashtëm i Lituanisë, shprehet se e mbështet statusin kandidat për Shqipërinë. “Shpresoj për një vendim pozitiv për Shqipërinë”, - ka thënë Linas Linkevicius.
Ndërsa kreu i diplomacisë Suedeze Karl Bildt ka thënë se vendimi për Shqipërinë është në proces. “Vendimi për Shqipërinë, në proces, do të merret nesër”.
Një sinjal pozitiv ka ardhur edhe nga Spanja. Manuel Garcia Margallo ministri i saj Jashtëm ka deklaruar, “Kemi mendim pozitiv për Shqipërinë”.
Vendimi për statusin e Shqipërisë pritet të jepet nesër nga 28 ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së. Votimi duhet të jetë unanim për një ‘po’ pasi vetëm një votë kundër, do ta penalizonte Shqipërinë.
a.k
Add new comment