PD kujtohet për reformën territoriale. Basha: Të rrihen mendimet, po na kthejnë te modeli i Enverit

Nën kostumin e kryebashkiakut, kreu i PD-së Lulzim Basha ishte i pranishëm sot në konferencën e shoqatave të të zgjedhurve vendore, ku morën pjesë kryetarë komunash e bashkish, ekspertë dhe grupe interesi. Përfaqësuesit e bashkive dhe komunave kërkojnë konsulencë të gjerë për reformën territoriale, që zëri i tyre të dëgjohet dhe theksojnë se rritja e autonomisë dhe decentralizimi janë më të rëndësishme se sa kufijtë dhe hartat. Në fjalën e tij, Basha u shpreh se modeli i reformës territoriale që propozon sot qeveria e kthen vendin tek modeli i Enver Hoxhës. Basha shtoi se kjo reformë është një përpjekje e tjetër për të kapur institucionet e pushtetit vendor. “Qytetarët nuk e gjejnë veten te kjo ndarje. Qeveria e zotit Rama dhe Meta i është nisur detit më këmbë, do të dalë tek modeli me 36 njësi, modeli Enver Hoxha”. Edhe pse mazhoranca prej disa muajsh e fton opozitën për pjesëmarrje dhe konsulencë në këtë reformë, sipas Bashës, “nisja e reformës territoriale pa rrahje mendimesh dhe pa konsultime nuk është produktive, por përfaqëson një mentalitet të vjetër, të denoncuar edhe më herët, një mentalitet oligarkësh. Nuk mendoj se ka apo jo qytetarë që duan të kthehen tek ndarja territoriale Enver Hoxha plus. Kthim në kohën e pashallarëve”.
a.k
Add new comment