Mediet londineze: Britania e Madhe në prag të daljes nga BE. “The Sun”: Cam, jemi në luftë me Evropën

Mediet britanike publikojnë ditën e sotme se Britania e Madhe është në prag të daljes nga Bashkimi Evropian. Ky qëndrim i njëjtë i medieve vjen një ditë pasi u zgjodh në krye të Komisionit Evropian Jean Claude Juncker, një zgjedhje për të cilën David Cameron ishte kundër . Disa të përditshme sulmojnë kryeministrin Cameron për kushtet e tij të negociatave.
‘’Një hap përpara drejt daljes nga Evropa’’ është titulli kryesor i gazetës “The Daily Mail’’ që e përcakton Cameronin si ‘’Rooney-n e Evropës’’ duke iu referuar sulmuesit të Kombëtares angleze të futbollit, Wayne Rooney, eliminuar në turin e parë të botërorit Brazil 2014.
Gazeta “The Times” ka të njëjtën konsideratë. “Britania e Madhe pranë daljes nga BE-ja” është titulli i gazetës së Rupert Murdochut. “Vendi ynë ndodhet në një izolim të shkëlqyer”, shkruan “Times”. “Një humbje, një shkatërrim”, thotë ‘’The Independent’’, ndërsa “The Guardian” konsideron se “vendi ndodhet shumë pranë daljes nga unioni”.
“The Sun” ka dalë sot me titullin “Cam, jemi në luftë me Evropën”. Ndërkohë “The Financial Times”, në editorialin e saj thotë se “bëhet fjalë për një ndryshim historik pushteti brenda Bashkimit Evropian” dhe për “një moment të rrezikshëm të marrëdhënieve mes Britanisë së Madhe dhe Evropës”. S.S
Add new comment