Qeveria ngre komision të posaçëm shtetëror për vizitën e Papës më 21 shtator

Qeveria ka vendosur që të ngrejë një komision të posaçëm shtetëror për organizimin e aktiviteteve dhe të punës së nevojshme për vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri më 21 shtator. Lajmin e ka bërë sot të ditur ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro që është caktuar edhe drejtuese e komisionit. Më tej Kumbaro ka bërë të njohur edhe pjesëtarët e tjerë të komisionit. “Ky Komision Shtetëror do të kryesohet nga Ministri i Kulturës dhe në përbërje të tij do të ketë anëtarët si vijon; Ministrin për Mirëqenien Sociale dhe Rininë; përfaqësues të kabinetit të institucionit të Presidentit; përfaqësues të kabinetit të Kryetarit të Kuvendit; përfaqësues të kabinetit të Kryeministrit; Prefektin e Tiranës; zëvendësministrin e Financave, përfaqësues të Bashkisë së Tiranës; Drejtorin e Protokollit të Shtetit, Përfaqësues të komunitetit katolik, komandantin e Gardës së Republikës së Shqipërisë”, tha ajo. Ministrja e ka konsideruar vizitën e Papës si një “ lajm shumë të mirë, mesazh shumë të mirë dhe gjithëpërfshirës, jo vetëm për shqiptarët dhe Shqipërinë, por për gjithë rajonin”.
http://kryeministria.al/al/newsroom/lajme/qeveria-komision-shteteror-per...
s.z
Add new comment