Bankat rrisin fitimin edhe pse nuk japin kredi

Në kushtet kur kreditimi ka qenë në nivele modeste dhe depozitat nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim, fitimi i bankave rezulton 49 milionë dollarë deri në maj të këtij viti.
Statistikat paraprake të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë tregojnë se bankat po arrijnë të nxjerrin fitim edhe në kushtet kur faktorët nuk janë shumë favorizues. Shoqata e Bankave publikoi së fundmi shifrat për muajin maj në lidhje me ecurinë e sektorit bankar në vend.
Në total, rezultojnë që depozitat në muajin e pestë të kenë një rritje me vetëm 20 milionë dollarë, krahasuar me të dhënat e muajit prill, ndërkohë që kreditë me vetëm 30 milionë dollarë. Sjellja konservatore e bankave për të shtrënguar kushtet e kreditimit dhe pasiguria e biznesit për të investuar përmes kredive e kanë ulur nivelin e kreditimit në minimum.
Nga ana tjetër, ulja e normës bazë të interesit të lekut ka ulur dukshëm interesat e depozitave, çka ka sjellë një interes më të ulët të individëve për të mbajtur paratë në bankë.
E pavarësisht këtyre faktorëve, bankat kanë arritur të rrisin fitimin nga prilli në maj me 6 milionë dollarë dhe në total për pesë muaj të fitojnë 49 milionë dollarë. Interesi primar i bankave ka qenë tek investimet e sigurta, siç është mbulimi i deficitit të qeverisë apo edhe investime të tjera jashtë Shqipërisë, pavarësisht se për këtë lloj procedure Banka e Shqipërisë ka vendosur rregulla dhe detyrime shtesë. /Panorama/
Add new comment