Kim Mehmeti: Politika shqiptare, vasale e sunduesit maqedonas. Populli ndihet i papërfaqësuar

Shkrimtari Kim Mehmeti ka analizuar në një intervistë për Gazetën Shqiptare, trazirat që kanë pushtuar Maqedoninë, ku nuk ka ngurruar të kritikojë Tiranën e Prishtinën zyrtare, e sidomos klasën politike shqiptare në Maqedoni.
“Sado që tingëllon e pabesueshme - posaçërisht kur ke parasysh se shqiptarët e këtushëm kanë përfaqësuesit e tyre në institucionet më të larta shtetërore”, thotë Mehmeti, “ka vite që shqiptarët e Maqedonisë ndjehen të papërfaqësuar. Dhe ata ndjehen të tillë ngaqë partiakët e këtushëm shqiptarë, të mirën e vet personale, e barazuan me atë të popullit. Dhe Maqedonia ku jetojnë ata me të vërtetë është si parajsë: ajo atyre u ofron makina të shtrenjta, pasurim të ngutshëm! Por, Maqedonia ku jeton populli është krejt ndryshe: ajo është e dhunshme ndaj shqiptarëve, është provokuese, ajo ua merr atyre të gjitha që do, duke mos u ofruar asgjë, ajo e deshqiptarizon Shkupin, e getoizon rininë shqiptare, ndërton institucione shtetërore që duhet ta mbrojnë shtetin nga shqiptarët, e jo t’u shërbejnë edhe shqiptarëve, mbase duke i konsideruar ata si rrezik të përhershëm të brendshëm…”. Mehmeti ka edhe një përkufizim për Ali Ahmetin dhe BDI-në: “Deri te shpërthimi i mllefit të rinisë shkupjane, si edhe asaj mbarëshqiptare në Maqedoni, erdhi ngaqë atyre ua vranë më të vlefshmen që kanë: Maqedonia atyre ua vrau shpresën. Në atë vrasje morën pjesë edhe ata që atë ua rikthyen në vitin 2001. Mbase shqiptarët e këtushëm kurrë nuk mund ta paramendonin se atyre që ua dhanë fëmijët e vet që të rreshtohen nën emblemën e madhërishme të UÇK-së, e të cilëve pastaj ua dhanë edhe besimin politik, do vinin në këtë pozitë ku janë sot: të jenë vasalë të sunduesit maqedonas”.
a.k
Add new comment