Ukraina, pas kulaçit vjen kërbaçi. Ofensiva ushtarake po u merr territore rebelëve prorusë

Ofrimi i armëpushimit nga presidenti i sapozgjedhur ukrainas Petro Poroshenko, ndoshta u mor si shenjë dobësie nga rebelët prorusë, por vendimi i Kievit zyrtar për ofensivë ushtarake duket se po jep fryte. Trupat qeveritare vazhdojnë përparimin drejt Lindjes së Ukrainës, pasi i ndoqën një ditë më parë separatistët pro-rusë deri pranë kufirit me Rusinë. Sloviansku, fortesa e rebelëve dhe zemra simbolike e kryengritjes, është tashmë në duart e ushtarëve të Kievit, por këta të fundit i shtuan fitoret e tyre me marrjen e dy qyteteve të tjera, Artemivsk dhe Druzhkivka. Pavarësisht humbjeve, separatistët vazhdojnë të mbajnë nën kontroll kryeqendrat rajonale të Donjeckut e Luhanskut, si dhe zona të tjera kyçe. Megjithatë, një zyrtar i lartë ukrainas i sigurisë, Mykhaylo Koval, thotë se shumë shpejt ato do të vihen nën rrethim, derisa rebelët të dorëzohen. Krerët rebelë e pranuan se kanë pësuar humbje të rënda gjatë tërheqjes nga Sloviansku, por në Donjeck, sipas mediave vendase e të huaja, kryengritësit e armatosur rëndë lëvizin lirshëm nëpër rrugë.
a.k
Add new comment