Naço “shpërthen”: KLD skandaloze, gjykatësit fshehin pasuritë dhe mbrojnë njëri-tjetrin

Postuar në 08 Korrik, 2014 05:27

Nuk ka “mbajtur” më ministri i Drejtësisë Nasip Naço, pas vendimit të djeshëm të KLD-së për të rrëzuar kërkesën për shkarkimin nga detyra të gjykatësit të Apelit Gjin Gjoni. Në një konferencë për mediat, ministri Naço e cilësoi skandaloz dhe qesharak vendimin e KLD-së për gjyqtarin Gjoni, i cili është nën hetim nga Prokuroria e Elbasanit për fshehje të pasurisë, pasi u denoncua nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Reagimi i ministrit Naço ishte tepër i ashpër, pasi ai foli për pamundësi të Ministrisë për të bashkëpunuar me këtë KLD. Duke iu referuar propozimeve për ndryshimet në ligjin për funksionimin e KLD-së, ministri tha se “tashmë u takon deputetëve të Kuvendit, të zgjedhur nga vota e popullit të vendosin se çfarë do të bëjnë me anëtarët e KLD-së. Do të mbyllin sytë apo do të ndahen përfundimisht nga kjo vendimmarrje skandaloze”. Naço u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të denoncojnë gjyqtarët që fshehin pasurinë. “Gjyqtarët janë bërë si ‘Sude’, duke fshehur pasuritë. Numri im si ministër i drejtësisë është i hapur për të gjithë. Ftoj qytetarët të denoncojnë”, u shpreh ministri Naço. Në emër të qeverisë, Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi shprehu mbështetje për deklaratat e ministrit Naço, lidhur me vendimmarrjen e KLD-së. Në fakt, kryeministri Rama e ka theksuar reformën në drejtësi si kyçe për kapërcimin e këtij ngërçi bllokues të “kupolës” së sistemit.
a.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.