Bie Holanda. Gjermani-Argjentinë, finalja e Brazil 2014

Holanda e Van Gal e ka humbur përfundimisht shansin për të dalë në finalen e botërorit Brazil 2014. Në gjysmëfinalen e sotme, ajo ka humbur përballë Argjentinës, në një ndeshje që është zgjidhur me penallti. Holandezët kanë humbur dy penallti përballë portierit Romero, që mund të quhet edhe Gojkoeçea i ri. Ndeshja në vetvete ka qenë e vakët, me një lojë në mesfushë, me gabime të shumta në pasime dhe pa finalizime të aksioneve. Ekipet i janë ruajtur njëri-tjetrit deri në fund, ndonëse Roben pati një rast goli në minutën ’91. Por kjo tashmë është histori, pasi vëmendja shkon në duelin e madh të 13 korrikut mes Gjermanisë dhe Argjentinës. Një finale e tretë mes këtyre ekipeve, pas asaj të vitit 1986-ës, kur Maradona, Valdano dhe Buruçaga merrnin kupën përballë një Gjermanie të jashtëzakonshme në rezistencë dhe që përmbysi rezultatin pas futjes së Hënes në lojë. Në vitin 1990, hakmarrja gjermane e drejtuar nga Bekenbauer dhe e ekzekutuar nga Mateus, Breme(goli), Klinsman dhe Fëler gjunjëzoi Maradonën. Tashmë përpara është finalja e tretë; një Argjentinë që është larg shkëlqimit dhe klasit të të paarritshmit Maradona, por që nuk ka gabuar asnjëherë në këtë kampionat dhe një Gjermani që vjen e sigurtë pas shkatërrimit që i bëri Brazilit dhe me një përbërje lojtarësh prej të cilëve ka të drejtën të pretendojë maksimumin.
s.z
Add new comment