Këshilltari i Ramës, Shkëlzen Maliqi: Gruevski nëse ka prova për shqiptarët terroristë, t’i bëjë publike

Postuar në 12 Korrik, 2014 06:55

“Partitë politike shqiptare duhet të kenë kujdes. Edhe ato duhet ta monitorojnë protestën. Nuk është koha që në Maqedoni të kemi një luftë të re, nuk është koha për një konflikt ndëretnik të shkallës së lartë.”, kështu e ka komentuar situatën e fundit në Maqedoni këshilltari i kryeministrit Rama për rajonin, Shkëlzen Maliqi. Në një intervistë të dhënë për “Gazetën Shqiptare”, Maliqi ka treguar se çfarë po ndodh me shqiptarët e Maqedonisë në këndvështrimin e tij.

“Është diçka jo e zakonshme që protesta nuk ka organizatorë, e nuk është dikush që mban përgjegjësi, vetëm ka përkrahës. Nga pala shqiptare janë këto organizatat, individët a grupimet ekstremiste që jo vetëm në këtë rast kërkojnë që çështja e Maqedonisë, e shqiptarëve atje të zgjidhet me ashpërsimin e situatës.”, ka komentuar Maliqi.

Reagimi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë është pritur nga qeveria e Maqedonisë si një ndërhyrje në punët e saj të brendshme. Për këtë Shkëlzen Maliqi thotë se: “Nuk është ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit ajo, por një lloj vërejtje për përdorimin e tepruar të dhunës. Policia mund të kontrollojë situatën, nuk është se çdoherë propozohet të përdoret gazi lotsjellës.”.

Në përfundim të intervistës këshilltari Maliqi tërheq vëmendjen edhe ndaj Gruevskit. “Gruevski thotë se faktet kyçe të gjykatës duhet të mbeten të fshehta e të rezervuara sepse e dëmtojnë nëse bëhen publike. Unë këtë logjikë, nuk e kuptoj. Nëse ata janë vërtetë terroristë, ose të lidhur me ndonjë organizatë terroriste, çfarë do ti dëmtonte ata? Pse nuk bëhen publike, kush janë ata njerëz, nga cilat familje vijnë, me kë janë të lidhur? Ka pra, një lloj mistifikimi. Transparenca në këtë rast duhet edhe për Maqedoninë, edhe për procesin. Ne nuk po kërkojmë të investigojmë, po themi se nëse ka fakte e prova, bëjini publike.”, thotë këshilltari për rajonin i kryeministrit Rama.

 

http://www.balkanweb.com/kryesore/1/keshilltari-i-rames-mali...

S.S

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.