Kosovë, koalicioni përcaktohet si grupi më i madh parlamentar, Thaçi i drejtohet gjykatës

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme ka përcaktuar koalicionin LDK-AKK-Nisma për Kosovën si grupin më të madh parlamentar. Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, u largua menjëherë nga mbledhja pas këtij vendimi, duke thënë se çdo rrugë tjetër i një grumbulli muskujsh politikë për ta përmbysur vullnetin politik të qytetarëve bie në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit, me Ligjet dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Mediet në Kosovë raportojnë se PDK këtë çështje do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, pasi ata shprehen se PDK është partia e parë e dalë pas zgjedhjeve me 37 mandate. Gjykata Kushtetuese disa ditë më parë u përfshi në problemet postzgjedhore. Ajo e ka dhënë një herë vendimin e saj të kërkuar nga Presidentja Atifete Jahjaga për çështjen e mandatarit të qeverisë së re. Gjykata, në vendimin e saj, tha se PDK është partia që ka fituar më shumë vota në zgjedhjet e fundit dhe si e tillë, i takon që të jetë mandatari i parë për formimin e qeverisë së re. S.S
Add new comment