Flutura Açka: Politika e ka manipuluar Shqipërinë, madje ka përçarë edhe familjen

Postuar në 18 Korrik, 2014 03:23

Shkrimtarja dhe botuesja, Flutura Açka prej vitesh ka një jetë të ndarë mes Holandës dhe Shqipërisë. Ajo është shumë kritikuese ndaj politikës, por ndryshe nga shumë të tjerë Açka nuk e fsheh dëshirën për të hyrë në politikë për të ndryshuar diçka.

Jeta juaj ka qenë e ndarë mes Holandës dhe Shqipërisë. Si e keni balancuar këtë largësi, si në jetën tuaj, ashtu edhe krijimtari? 
Po, jeta më është sjellë mes Shqipërisë dhe Holandës në 15 vitet e fundit të miat, mes dy kulturash disi të ndryshme. Holanda është nga ato vende që i jep leksione lirie edhe vetë Europës, dhe në këtë mes, sa ç’është fat të jetosh atje, aq është edhe detyrim për ta njohur dhe respektuar thelbin e kësaj lirie. Në rastin tim, ishte fat, por një fat që i shkoi shumë afër shijeve dhe kuptimit tim të jetës. Përtej lirisë personale, unë kisha nevojë për një liri të tillë letrare, të cilën shpesh lexuesi e gjen në tekstet e mia. Nuk është e lehtë të jesh njëherësh afër dhe larg gjërave të tua të dashura, familjes së portokalltë dhe letërsisë që shkruhet në kuq e zi; kur jam tek njëra, më merr malli për tjetrën dhe ky mall dhe nevojë për rikthim, ma ka bërë më të shkurtër rrugëtimin mes tyre, po aq edhe më të lehtë baraspeshën mes tyre. 

Flutura, në librin tuaj “Kukullat nuk kanë atdhe”, ju në vijë të dytë duket se thoni se politika dhe politikanët shqiptarë, gati kanë hyrë në shtratet e çifteve, sidomos në marrëdhëniet dashurore dhe erotike? 
Politika dominon jetët tona dhe ky nuk është një fenomen shqiptar. Rrotull në Ballkan, dhe veçmas në vendet që kanë kaluar diktatura të gjata, kjo është një gjë e natyrshme dhe e pranuar madje nga shoqëria, pikërisht nga reminishencat kur jeta jonë kontrollohej nga politika. Në Europë rrallë ndodh që sheshet të mbushen me mitingashë politikë, por me protestues së të drejtave të tyre. Ne shqiptarët jemi robër të ekranit dhe nga andej politika, e cila e ka mësuar këtë sekret të ndjeshmërisë sonë, na manipulon çdo ditë, na zotëron ditën, emocionet, dëshirat dhe dashuritë tona. Ne konsumojmë kaq shumë politikë, sa jemi të lodhur për konsume të natyrave të tjera njerëzore. Por kjo ndodh edhe sepse politika e ka përçarë kombin, e ka ndarë në ngjyrat e saj dhe e ka skajuar asisoj, sa të përfshirit në politikë, qoftë edhe si militant i rëndomtë, përkthehet në mundësi për mbijetesë, veçmas në kohë krizash, si këto tonat të shpeshta. Edhe kultura bajraktariste, nevoja për t’u identifikuar me pashallarët tanë, si e vetmja pikë referimi për të tërën, si qenie të pagabueshme, ose edhe nëse të pagabueshme të pagjykueshme, ka ndihmuar në këtë. Shkurt, politika bën me ne ç’të dojë, sepse e ka marrë autoritetin me të gjitha mjetet dhe format. 
Sa e njeh mashkulli shqiptar femrën që ka përkrah? 
Nuk ka as kohë, as dëshirë ta njohë, sepse nuk ka ndërmend të marrë ndonjë barrë nga pesha që rëndon në shpinën e tjetrës, edhe pse në botën e qytetëruar shumë e më shumë raportet dhe përgjegjësitë mes tyre janë të diskutueshme. Burri shqiptar i ka të përcaktuara nga tradita punët e tij, sikurse edhe gruaja. Modeli i babait në familjet shqiptare, furnizon ende imazhin e birit shqiptar. Ndryshe nuk ka si shpjegohet pse vriten me aq lehtësi gra edhe vajza ende sot, edhe në mes të Tiranës. Në konceptin e trashëguar të burrit shqiptar, gruaja nuk është qenia që të bën të ndihesh burrë, por qenia që të provon se je burrë. Por gjithsesi, kapërcimi që ka bërë vetë femra shqiptare në shekullin e fundit, është i mahnitshëm, ndonjëherë duket i imponuar, por kjo ka qenë mbase zgjidhja e vetme për ta bërë veten të dallueshme në shoqërinë shqiptare.   
Ju thoni se keni pasur një fëmijëri dhe ju është dashur të maturoheni shpejt. Si i shihni të rinjtë shqiptarë sot në raport me “maturimin”? 
Unë e kam patur fjalën për tjetër lloj maturimi, atë të rrëmbimit nga bota e librit dhe përhumbjes në të. Kam filluar të mendoj si nëpër libra shumë herët, në kohën kur bashkëmoshatarët e mi luanin jashtë. Kjo ishte shumë personale, jo të gjithë fëmijët e kishin këtë tërheqje. Por edhe koha kur unë rritesha, flas për fillimin e viteve 70-të, kur diktatura e Hoxhës ishte në zenit të saj, fëmija maturohej vetiu. I rrethuar nga një stërkeqje që e ndiente nga varfëria, nga sjellja e kujdesshme e prindërve për t’i nisur dhe mbaruar shqetësimet e tyre brenda familjes, këmbëngulja për një edukim të mirë si e vetmja zgjidhje në jetë, të shtynin të kuptoje qysh fëmijë një përgjegjësi që ta bjerrte vetë atë. Janë gjëra të pakrahasueshme. Liria, por më së shumti, kushtet familjare sot, i kanë bërë më të shkujdesur fëmijët shqiptarë, më dembelë, më pak të lidhur me shkollimin, rrjedhimisht më naivë dhe të përkëdhelur. Por një fëmijë sot, është shumë më i informuar, padyshim që di shumë më shumë nga ç’kemi ditur ne, dhe rrjedhimisht ka një tjetër lloj maturimi dhe një qasje tjetër për jetën. Vështirë të bësh krahasime. 
Si e shihni sot femrën shqiptare, femrën e medias shqiptare, nisur nga vëzhgimi i hollë edhe i një ish gazetareje? 
Fola edhe më sipër për femrën shqiptare, ajo është më e edukuara, më e kulturuara, më e kuruara, dhe mbi të gjitha, më e emancipuara në shoqërinë tonë. Dhe në krye të kësaj, janë vajzat e medias, të cilat frymojnë edhe në prozën time. Unë kam një mirënjohje të veçantë për to, për një armatë të tërë vajzash që mbajnë një peshë të madhe në emancipimin e kësaj shoqërie. Ato kanë ndërtuar një model gruaje të rafinuar dhe të mençur, që kanë edukuar me modelin e tyre, mijëra gra e vajza përtej ekranit dhe faqeve të gazetave. Por si kudo, dhe si në çdo fushë, ka kukulla që i shërbejnë politikës me të gjitha mënyrat e mundshme, edhe me trupin e tyre. Por kjo është periferike. Në sytë e mi, vajzat e medias janë ato që bëjnë punën, dhe “djemtë” janë ata që krekosen ekraneve, shpesh madje me një posesion gati neveritës. 
Çfarë e frymëzon një shkrimtare si ju? 
Frymëzuese mund të jetë çdo gjë e këtij realiteti, varet nga ndjeshmëria që ke për të. Duke qenë një realitet i gënjeshtërt, por një realitet njerëzor në substancë, shkrimtari e ndërton këtë realitet paralel, i frymëzuar nga jeta, edhe pse kohët në të mund të jenë të çuditshme. Ti mund të frymëzohesh nga rrethana të caktuara, por varet sa të ndihmon fantazia ta kapërcesh të rëndomtën e reales, ajo që bën ndryshimin, që të jep një kënaqësi estetike të tillë, që t’i kthehesh sërish e sërish leximit. Ndaj them se frymëzimi është vetëm shtysë, por jo i mjaftueshëm për prozë dhe poezi të mirë. 
Kur ka qenë pika vendimtare në jetën tuaj që keni vendosur të shkruani? 
Nuk ka qenë ndonjë çast i caktuar, ti nuk e vendos vetë atë, ajo nevojë të vjen vetë. Unë e kujtoj veten fëmijë tek u rrëfeja histori trëndafilave të oborrit të shtëpisë sonë në Elbasan. Ato lule të mrekullueshme kanë qenë auditori im i parë, lexuesit e mi të parë, të themi. Ka qenë kjo nevojë e brendshme për të rrëfyer histori, mbase që më bëri shkrimtare. Por kam shkruar në letër herët, poezi kanë qenë shkarravinat e mia të para; i kam ende shumë prej tyre, kujtime të vyera të një kohe kur barabitesha t’i quaja vjersha.  
Ndodh shpesh që shkrimtarët i futen politikës, a do të pranonit nëse ju propozohet? 
Nuk është e drejtë të jesh kategorike në këtë. Fundja përderisa ia atribuojmë politikës pjesën më të madhe të të këqijave shqiptare, përse të mos shërbejmë në neutralizimin e këtyre të këqijave për të cilat ankohemi në kor. Kjo është një pyetje që një shqiptar i ndershëm, duhet t’ia bëjë vetes. Ia bëj vetes edhe unë, sepse ndihem një shqiptare e ndershme, dhe e di se, nëse do të merresha me politikë, mund të mos dija të bëja shumë, por nuk do të shpërdoroja besimin e asaj që do të më ishte besuar. Kjo sigurisht në një shoqëri që njeh rregulla, jo në atë shqiptare, ku për të mbijetuar në politikë, ose nuk duhet të kesh turp nga spërkatja që mund të të vijë nga baltatriçja shqiptare, ose të përzihesh me të, si të vetmen mënyrë që të përfitosh benefite, edhe të pamerituara, shoqërore. Për një ithtare e rregullit dhe së drejtës, si unë, nuk ka vend për iluzione politike. Pastaj, unë jam e zënë me punë më të bukura se politika, dhe nuk ka sirenë politike që e josh një Uliks të pranguar nga dashuria për letërsinë. 
Si është një ditë e juaja e zakonshme, gjëja e parë që bëni në mëngjes? 
Një kafe bojëkafe, është mëngjesi im, se ka edhe kafe të zeza që të vijnë më së shumti nga ëndrra të pakëndshme. Unë ngaqë fle pak, nuk kam kohë për ëndrra. Në sfond muzikë, ose gazetat e mëngjesit. Është ca i gjatë mëngjesi im; nga shtëpia dal vonë, nëse dal, sepse ka edhe ditë kur nuk dal fare, vendos të punoj në shtëpi. Ka shumë ditë të tilla në jetën time, pa asnjë lloj shtyse për të dalë, ngaqë punoj. Jo se vuaj nga ndonjë sindromë banese, por thjesht nuk dua të takoj njeri atë ditë, ngaqë kam lënë takim me personazhet. Jeta që kam zgjedhur, pavarësisht vështirësive të shumta, më ka dhënë edhe komoditetin e të shmangurit të orareve të detyruara, ose punës me shefa dhe llogaridhënie, që s’është ‘kafe’ për mua. Një pjesë e mirë e ditës sime shkon me redaktime dhe të përditshmen e një botuesi, por gjithnjë e më pak takime. Prej vitesh ditët e mia kanë më rutinë, sepse kjo rutinë nis në mendjen time, nga të menduarit e gjatë dhe nga nevoja e të menduarit të gjatë, thelbi i prozës, që me vite ka dominuar tërësisht jetën time. Kam një rreth të ngushtë miqsh në Shqipëri, me të cilët udhëtoj ose pi verë shpesh. Ndërsa në Holandë dita ime është një ditë tipike shkrimtareje… dhe nëne. 
Cilat janë pasionet tuaja, hobi? 
Piktura është një nga dashuritë e mia, ditët e fundit para se të nisesha këtu, vizitova Kroller-Muller, një koleksion i mrekullueshëm pikturash, mes të cilave edhe kryevepra të Van Gogh. Ndoshta kjo dashuri është arsyeja e imazheve që lexuesi dallon në prozën time. Mali, ecja në mal është një nga dashuritë e mia. Leximi është vesi im, vesi im i bukur i vetmisë, nëse do të perifrazoja Llosën. Shumë pak televizor, por ekrani i madh i kinemasë, veçmas filmat psikologjikë… dhe vera, ndonjë verë e mirë Brunello, m’i sposton detyrat e biznesit të asaj dite për një tjetër kohë. Dhe e kam gjetur ngushëllimin nga brerja e ndërgjegjes: kështu janë poetët! 
Keni ndonjë shkrimtar shqiptar të preferuar, kë lexoni përgjithësisht? 
Migjenin, atij i rikthehem gjithnjë dhe më duket se e lexoj nga e para. Ai vdiq 27- vjeçar, ç’do të kishte shkruar ai po të kishte jetuar më gjatë. Nuk e parashikojmë dot, dhe më mirë, që të mos i xhelozohemi qenies së tij fenomenale në letrat shqipe.   
Cila politikane femër është në vendin e gabuar sipas jush? 
Nuk i ndjek me shumë vëmendje, por vërej se kakarisin më së shumti në kohë fushatash nëpër foltore. Fatkeqësisht politikanet femra shqiptare (jo të gjitha), janë të detyruara t’i përgjigjen modelit të kotecit që kanë ngritur liderët politikë shqiptarë, ndryshe nuk mbijetojnë dot. Artistet si Luiza Xhuvani dhe Rajmonda Bulku, kam vërejtur se nuk janë ndierë aq mirë. Thjesht, përshtypja ime, pa i dhënë të drejtë vetes t’i gjykoj. 
Si e përjetoni dashurinë, ka ndryshuar me vitet koncepti juaj për këtë ndjenjë? 
Në thelbin e saj është njëlloj, por në shprehi, ndryshe. Ndoshta proza ka konsumuar shumë emocion tek unë, pavarësisht se letërsia është imitime, ti jep prej vetes shumë. Dhe thelbi ka rëndësi. Edhe dashuria ime është maturuar si unë, zor se ka stuhi që mund të më marrë mendjen. Këto, emocionet inteligjente, nuk janë shenjë e mirë, por nuk e ndaj dot, nëse vjen nga të qenit shkrimtare, apo maturim moshe. Një grua joartiste, do t’i kishte dhënë një përgjigje më të drejtë kësaj pyetjeje. 
Këshilla që i jepni gjithnjë djalit tuaj? 
T’i vijë erë njeriu! Kjo ishte këshilla që më jepte im atë tek rritesha. Që do të thoshte, se nuk hahej shpirti po të ishe shpirtmirë, nuk të pakësohej dashuria nëse e ndaje, nuk ishte njerëzore nëse lëndoje dhe merrje atë çka ishte e të tjerëve. I jap të gjitha këshillat e një nëne që dëshiron të shohë veten e përmirësuar te fëmija e saj. 
Jemi në stinën e verës, ku do të pushoni këtë verë? 
Jo shumë plane, pushime në Shqipëri. Së shpejti nisem për disa ditë ecjeje në Vermosh, më pas rrotull Shqipërisë, por jo në bregdet, ku është shumë rrëmujë këtë stinë. 
Si janë përgjithësisht pushimet tuaja, të zhurmshme e me miq përreth, apo disi më intime dhe me mundësinë për të krijuar? 
Jo, mundësisht sa më intime, por shpesh organizojmë edhe udhëtime të veçanta me miq të ngushtë të familjes, kemi organizuar të tilla në Alpet Shqiptare. Më së shumti pushimet e mia janë edhe një mundësi për të lexuar dhe punuar, në këtë rast më pëlqejnë ishujt e Holandës, ku mund të udhëtosh me orë të tëra me biçikletë në një hapësirë pafund, që i jep tjetër dimension lirisë tënde, që më ndihmon shumë kur i kthehem tekstit që jam duke punuar. 

/Gazeta Shqiptare/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.