Partitë opozitare fitojnë betejën e parë me Thaçin

Postuar në 18 Korrik, 2014 03:35

Situata politike në Kosove vazhdon të jetë e ndërlikuar që pas rezultatit jo të qartë të zgjedhjeve të fundit parlamentare. Kjo pasi PDK-ja e Thaçit është partia me më shumë vota, por nuk ka numrat për formimin e qeverisë. Nga ana tjetër partitë opozitare po tentojnë të formojmë koalicionin për të qeverisur vendin.

Provën e parë partitë opozitare e kaluan me sukses. Në seacën e parë ata zgjodhën kreun e LDK-së, Isa Mustafa kryetar të Kuvendit.

Mustafa, është zgjedhur të enjten, kryetar i Kuvendit të Kosovës me 65 vota për dhe 18 abstenime. Ai u zgjodh me votat e deputetëve të LDK, AAK, NISMA, dhe votat e minoriteteve, ndërsa deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe deputeti, Nenad Rashiq, kanë abstenuar.

Zgjedhja e kryeparlamentarit të ri u arrit pas shumë vështirësive për shkak të pengesave që ka shkaktuar në seancën solemne PDK-ja dhe deputetja e kësaj partie, Flora Brovina, e cila si deputetja më e vjetër e kryesonte seancën dhe në asnjë formë nuk donte që të drejtën e nominimit të kandidatit për kryeparlamentar t’ia jepte koalicionit LDK, AAK, Nisma, raporton “Zëri”.

Përveç Mustafës në kryesinë e re të Kuvendit do të jetë edhe deputeti i “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, i cili me 82 vota u zgjodh nënkryetar i Kuvendit, ndërsa nënkryetari nga radhët e koalicionit LDK, AAK, Nisma, si dhe nënkryetarët nga partitë minoritare dhe ai nga radhët e PDK-së pritet të zgjidhen në ndonjërën nga seancat e radhës. 

PDK e cila humbi betejën në Kuvend, konsideron se zgjedhja e kryeparlamentarit të ri bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, prandaj kërkon interpretim nga Gjykata që drejtohet nga Enver Hasani.

S.S

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.