Grabitje si në filma tek Thesari i BSH-së, Bitraj: Kam marrë 6 mld lekë për 4 vjet, i kam humbur në kumar

Skenari i filmit hit të Hollivudit, “Mad Money” është zbatuar gati në mënyrë perfekte nga dy punonjës të Bankës së Shqipërisë, të cilët ia kanë dalë të sfidojnë çdo sistem sigurie dhe të vjedhin plot 6 miliardë lekë. Njësoj si në film, dy punonjësit e bankës kishin ndërtuar një sistem gati perfekt për nxjerrjen e parave jashtë bankës, për të paktën katër vite me radhë. Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzi konsiderohen nga Gjykata si autorët e supervjedhjes në Bankën e Shqipërisë, e para e këtij lloji në historinë e këtij institucioni dhe e shtrirë për një periudhë 4-vjeçare.
Zbulimi tronditës u bë në momentin e asgjësimit të parave kur Bitraj, me detyrë përgjegjës i sektorit të Arkës Stok, i gjendur pa rrugëdalje pranoi gjithçka kishte bërë. Përpara komisionit, ai rrëfeu se për katër vite me radhë kishte vjedhur shuma të konsiderueshme parash të nxjerrja jashtë qarkullimit, por edhe prerje të reja, para të cilat ishin emetuar për t’u hedhur në treg. I dyshuari ka marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë për supervjedhjen, por policia arrestoi edhe një tjetër punonjëse të Bankës së Shqipërisë, shtetasen Mimoza Bruzi e cila dyshohet për moskallëzim krimi. Punonjësja dyshohet se ka kuptuar vjedhjen disa muaj më parë, por nuk ka denoncuar, pasi Ardian Bitraj i ka premtuar se do të kthente shumën e parave që mungonin.
Vjedhja e bankës
Historia nis katër vite të shkuara, kur Ardian Bitrajt, një nga punonjësit më të vjetër të Bankës së Shqipërisë merr detyrën e përgjegjësit të sektorit të Arkës Stok pjesë e Qendrës së Emisionit të Monedhës. Godina në fjalë, e rikonstruktuar në vitin 2012 sipas standardeve të Bankës Europiane, mund të konsiderohet si një prej ndërtesave më të sigurta në vend. Por pavarësisht kushteve të sigurisë, 45-vjeçari, punonjës që prej vitit 1993 në Bankën e Shqipërisë, ia ka dalë të realizojë supervjedhjen. “Kam tërhequr edhe 100 milionë lekë në një ditë të vetme”, ka pohuar Ardian Bitraj. Ai ka sqaruar se përgjatë kësaj periudhe merrte shuma të ndryshme parash, të gjitha kartëmonedha me prerje 5 mijë lekëshe, të cilat ishin pjesë e parave stok që do t’i nënshtroheshin asgjësimit. Kam katër vjet që i marr lekët nga arka stok, i tërhiqja të gjitha prerje 50-she, i fshihja në trup dhe disa herë përfitova nga fakti që shefi im ishte i ri dhe nuk e kishte idenë se çfarë bëhej aty. Më pas, në mënyrë që të mos kuptohej që ishin tërhequr para, dhe që pesha e këtyre arkave të dukej e njëjtë, aty vendosja libra dhe letra në format A4”, – ka rrëfyer punonjësi i bankës.
Punonjësja nuk denoncoi
Kjo skemë vjedhjeje ka vijuar deri pak muaj më parë, kur kolegia e tij, tashmë e arrestuar, Mimoza Bruzi ka zbuluar mungesën e para, por nuk e ka denoncuar këtë gjë tek eprorët. Bitraj ka treguar se kolegia i ka kërkuar llogari për rreth 400 milionë lekë që mungonin nga stoku i parave që do të asgjësoheshin, por ai i ka premtuar se do t’i kthente paratë që mungonin. Kjo situatë ka vijuar deri në fillim të kësaj jave, pasi Bitraj ishte përpjekur me të gjitha format që të shtynte inventarin e parave të nxjerra jashtë qarkullimit. Mungesa e inventarit ka detyruar drejtuesit e Bankës Qendrore të urdhërojnë një komision të posaçëm, i cili do të kryente inventarizimin e gjithë stokut të parave të nxjerra për asgjësim. I ndodhur në këto kushte, 45-vjeçari Ardian Bitraj është dorëzuar duke rrëfyer gjithçka kishte bërë. Ai ka treguar me detaje se si shmangte kamerat e sigurisë, mënyrën si i fshihte paratë në trup për t’iu shmangur kontrolleve të rrepta në dalje, madje edhe mënyrën se si e ka shpenzuar shumën marramendëse të parave të vjedhura.
Bitraj: Kam lënë 6 miliardë lekë në kumar
Në një rrëfim për grupin hetimor, Ardian Bitraj ka konfirmuar gjithçka kishte treguar përpara komisionit, duke thënë se ai nuk kishte më asnjë qindarkë nga paratë e vjedhura. “Të gjitha lekët i kam lënë në lojërat e fatit që janë poshtë shtëpisë sime. Madje, te një kazino jam borxh 50 milionë lekë të vjetra”,- mësohet të ketë deklaruar para grupit hetimor bankieri 45-vjeçar. Pas konfirmimit të dëshmisë për supervjedhjen, policia ka kryer arrestimin e Ardian Bitrajt, i cili dyshohet për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën. Bashkë me të, në pranga është vënë edhe kolegia e tij, punonjëse në të njëjtin sektor, Mimoza Bruzi, e cila dyshohet për moskallëzim krimi. Dy zyrtarët e Bankës së Shqipërisë janë arrestuar katër ditë më parë, pasi Gjykata e Tiranës kishte caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë. Ditën e djeshme, në sekret të plotë Gjykata e Tiranës konfirmoi masën e sigurisë “arrest me burg” për dy zyrtarët e bankës, të cilët zyrtarisht do të hetohen për një prej vjedhjeve më të mëdha të ndodhur në historinë e Bankës së Shqipërisë, pas vjedhjes së Thesarit të Shtetit në vitin 1999.
50 roje në godinë dhe sistem i sofistikuar gjurmimi
Përmasat e kësaj vjedhjeje dhe mënyra se si është realizuar kanë ngritur pikëpyetje të shumta mbi sistemin e sigurisë së një prej godinave që konsiderohet nga më të sigurtat në vend. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka urdhëruar një hetim të brendshëm për procedurat e ruajtjes të parave stok, por sërish dyshimet mbeten. Vetë banka njoftoi dy ditë më parë se kishte kallëzuar në prokurori dy punonjës, të cilët dyshoheshin për vjedhje, por pa dhënë detaje të tjera për shkak se është një çështje që prek sigurinë kombëtarë. E megjithatë ekspertët thonë se ndërtesa e Emisionit të Monedhës, apo siç njihet ndryshe “Thesari” ka kushte maksimale sigurie pas rikonstruksionit të kryer në vitin 2012. Në këtë godinë ka sisteme elektronike gjurmimi, ka protokolle hyrje dhe dalje të sofistikuara, ka rreth 43 punonjës si dhe 50 roje sigurie, të cilët ndjekin dhe zbatojnë protokollin e hyrje-daljeve nga godina. Vetë Banka e Shqipërisë thotë se godina është rikonstruktuar më 26 tetor të vitit 2012 duke u bërë një prej objekteve më të sigurta në vend, në përputhje me standardet e Bankës Europiane. “Ambientet kryesore operacionale të kësaj ndërtese përfshijnë vend-hyrjen e automjeteve të blinduar që realizojnë transportin e parasë, sportelin e kryerjes së veprimeve me degët e Bankës së Shqipërisë dhe bankat tregtare, dhomat kasafortë, sallën e përpunimit të kartëmonedhave, sallën e grirjes offline dhe briketimit të kartëmonedhave të dëmtuara, sallën e prodhimit dhe përpunimit të monedhave metalike, laboratorin e Qendrës Kombëtare të Analizës”, thuhet në një përshkrim që Banka e Shqipërisë i bën godinës së Emisionit të Monedhës. Kjo ndërtesë karakterizohet nga një nivel i lartë infrastrukture dhe është e pajisur me sisteme teknologjike të përparuara që do të përdoren për përpunimin e parasë. “Vlen të përmendet që sistemet e përpunimit të instaluar në Qendrën e Emisionit janë të njëjta me ato që përdoren edhe në bankat e tjera qendrore evropiane. Pas përpunimit, kartëmonedhat e përshtatshme për riqarkullim kalojnë në sistemin e paketimit, ndërsa kartëmonedhat e dëmtuara asgjësohen në mënyrë automatike”, thotë Banka e Shqipërisë, e cila tashmë ka nisur një hetim për të gjetur arsyet perse rreth 6 miliardë lekë nuk janë asgjësuar në mënyrë automatike sikundër përshkruhet në sistem. /MAPO/
Comments
Ka te ngjare qe parate nuk
<p>Ka te ngjare qe parate nuk kane hyre kurre ne godine.</p>
Mire, mer mire kjo, po ajo
<p>Mire, mer mire kjo, po ajo tjetra e floririt te Krrabes, c'u be?!? Meduket se i shkoi llagap Likes, prandaj i thone tashti Ilir Floriri......</p>
Add new comment