Mendimet e fundit për reformën territoriale përpara miratimit në Parlament

Postuar në 30 Korrik, 2014 02:33

Nesër është paralajmëruar se Parlamenti shqiptar do të votojë draftin e ri të reformës territoriale që parashikon kalimin drejt 61 njësive administrative në mbarë Shqipërinë. Dhe vetëm një ditë përpara këtij votimi nuk kanë munguar opinionet e fundit për reformën. Së pari mediat i kanë bërë jehonë një propozimi të Shoqatës së Komunave që sugjeron shtimin me 28 njësi të reja. Së dyti ka disa mendime të shprehura nga autorë të ndryshëm, të përqendruar te problemi i Himarës. Kështu në një intervistë për “Shqip” Paskal Milo deklaron se Himara është e udhës të jetë një njësi me Lukovën, pasi siç shprehet ai “i gjithë bregdeti i Jonit, në mënyrë të natyrshme, nga të gjitha pikëpamjet...duhet të jetë një njësi administrative me Lukovën”. Nga ana tjetër, zv.ministri i Mbrojtjes Dritan Hila shkruan sot një koment të shkurtër për këtë çështje. Sipas tij bashkimi me Vranishtin është shpëtim për zonën e Kurveleshit, pasi sipas Hilës “Kurveleshi, e shikon detin e nuk e prek dot”. Pa folur pastaj për produktet e kësaj zone që po të jetë bashkë me Himarën, do të çajnë “bllokadën” administrative drejt bregut dhe pushuesve. Për Kurveleshin në fakt, dje në një opinion në gazetën “Mapo” nga Dilaver Goxhaj, përcillej një historik i shkurtër dhe fakti se “banorët e kësaj zone ishin ngritur në protestë ndaj qeverisë shqiptare për ndarjen administrative të vitit 1920, që e ndante Kurveleshin”. Në këtë kuptim, shtuar edhe disa kontestime të tjera nga njësi të ndryshme që nuk bien dakord me kufijtë e rinj, apo me fshirjen e tyre nga harta, mund të thuhet se reforma nuk arriti të krijojë një emërues të përbashkët. Në finale një vëzhgim ka përcjellë sot edhe deputeti i PD-së, Kastriot Islami, sipas të cilit reforma çon në reduktimin e njësive me 7.8 herë në Veri dhe me 5 herë në Jug, çka sipas tij “ky diskriminim zbulon qëllimin e vërtetë elektoral të reformës”. Të gjitha mendime që marrin me gjasë nesër një përgjigje përfundimtare, vetëm në mos dikush nga subjektet e interesuara, nuk mungon me ndonjë iniciativë pranë Gjykatës Kushtetuese.

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.