Luan Rama: Kur ka vullnet politik, askush nuk mund ta pengojë luftën e policisë me krimin

“Ligji i ri i Policisë së Shtetit i jep mbështetje, garanci dhe inkurajim ligjor strukturave policore në përmbushjen e detyrimit të tyre kushtetues”, kështu është shprehur deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama.
Komentet e tij deputeti Rama i ka shprehur gjatë diskutimeve në Kuvend për projektligjin për Policinë e Shtetit. Sipas tij “15 vjet më parë apo 2 vjet prej rrënimit total të shtetit pas ngjarjeve të vitit 1997, kur Madlen Ollbright, në atë kohë Sekretare Amerikane e Shtetit vizitoi Shqipërinë, duke folur në këtë sallë të Kuvendit veçoi në mënyrë eksplicite si një prej arritjeve të Kuvendit miratimin e ligjit “Për Policinë e Shtetit”, duke dhënë mesazhin e domosdoshmërisë së krijimit të një shërbimi policor të ndryshëm prej atij që kishte ekzistuar para vitit 1997, që siç u provua rezultoi i dështuar, duke ofruar një shërbim policor demokratik, ligjor dhe qytetar”.
Luan Rama mendon se domosdoshmëritë e ndryshimit të ligjit lindin si fillim për anën funksionale të tij. Rama shprehet se “Politika e ka keqpërdorur atë, e ka fyer e goditur, e ka gjymtuar dhe ka vrarë besimin e qytetarit tek policia e vet, e cila është organizata që ka paguar më shtrenjtë në jetën njerëzore si kostot e keqpërdorimit politik, ashtu edhe ato të luftës me krimin”. Sipas Ramës kur shteti dhe politika duan që të funksionojë policia, atëherë ata e tregojnë veten dhe punën e tyre. Kur ka vullnet politik, asgjë nuk mund të bëhet pengesë në luftën e përjetshme mes shtetit dhe krimit”, u shpreh Rama. S.S
Add new comment