Vjedhja në BSH, të arrestuarit deklarojnë se nuk ka patur rregullore dhe as kasafortë për çelësa

Dëshmitë e të arrestuarve për skandalin e vjedhjes në Bankën e Shqipërisë, rrëzojnë të gjithë qëndrimin e Këshillit Mbikëqyrës dhe të Guvernatorit, sipas të cilëve ishte elementi njeri ai që përcaktoi ngjarjen në fjalë, teksa rregulloret dhe sistemi ka qenë funksional. Kjo pasi të paktën dëshmia e Petrit Ramohitos, përgjegjës i Arkës për Veprim në Departamentin e Emisionit, ka dhënë disa hollësi që flasin për mungesë rregulloreje. “Rregulloren na e vunë në dispozicion më datë 25 korrik, pasi u zbulua vjedhja. Gjithashtu sollën edhe kasafortat për çelësat, që deri atëherë mungonin”, ka thënë Ramohitiaj. Po kështu edhe Bashkim Xhilaga, njeriu që kishte si detyrë të kontrollonte veprimet e punonjësve të Departamentit të Emisionit dhe të kontrollonte arkat e kartëmonedha, ka konfirmuar të njëjtin fakt se rregullorja është prezantuar pas vjedhjes. “Drejtori madje më porositi. Sipas rregullores, unë kam detyrim për çelësat dublikatë dhe jo për çelësat në përdorim. Vjedhja është bërë me çelësat në përdorim", është shprehur tha Xhilaga. "Keni funksionuar si një kooperativë e keqe e kohës së kaluar dhe jo si bankë shteti", citon n”GSH” një prej gjykatasve në seancë. Ndërkohë po sipas “GSH” asnjë prej të arrestuarve nuk ka shpjeguar se për cilat arsye vjedhja ka vijuar me kohë të tëra. Kësaj pyetjeje të akuzuarit nuk i kanë dhënë përgjigje.
s.z

Add new comment