Berlin, Merkel: “Të angazhuar që në Ballkan të mos ketë më luftë”. Më 2015, konferencë në Austri. Rama konfirmon vizitën në Beograd më 22 tetor

Postuar në 28 Gusht, 2014 11:58

Konferenca e Berlinit ka shënuar një etapë të re politike për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo jo vetëm për shkak se kryeministrat e këtyre shteteve patën mundësinë që të kenë një audiencë për kërkesat dhe problemet e tyre, por sepse siç ka thënë kancelarja gjermane Angela Merkel, konferenca të tilla do të zhvillohen çdo vit në katër vitet e ardhshme. Dhe vitin që vjen do të jetë Austria ajo që do të ketë cilësinë e organizatorit. Po ndërtohet kështu një mekanizëm politik i nivelit më të lartë për Ballkanin, nën kujdestarinë e Gjermanisë, çka në terma politikë do të thotë garanci për anëtarësimin në BE, pavarësisht kohës. Merkel ka qenë shumë e qartë në këtë drejtim: “Unë dhe presidenti Barroso i mbështesim vendet e Ballkanit në rrugën e anëtarësimit në BE. Jemi të angazhuar që në Ballkan të mos ketë më luftë, por paqe. Duke qenë se në këto vende ka pasur zhvillime të shumta ka mundësi që të ketë anëtarësim në BE. Për këtë arsye kjo konferencë do të zhvillohet çdo vit në 4 vitet e ardhshme. Kemi pasur idenë për të ngritur një rrjet të ri ku të bashkëpunojë gjithë rajoni. Dëshirojmë që procesi i integrimit të ecë më shpejtë që këto vende të integrohen. Sllovenia dhe Kroacia janë anëtarësuar, të tjera kanë marrë statusin dhe kanë avancuar. Por gjithçka është në dorën e tyre. Zotit Barroso thotë se Komisioni është i gatshëm t’i ndihmojë këto vende”, tha ajo. Po kështu në konferencë Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, ka konfirmuar vizitën e tij në Beograd, më 22 tetor, me ftesë të homologut Aleksander Vuçiç. Për sa i përket aspektit ekonomik dhe financimit të projekteve që janë paraqitur ende nuk ka një sqarim zyrtar.

http://top-channel.tv/artikull.php?id=283400

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.