PORTRET/ Regjisori Saimir Kumbaro: Gati për filmin e ri, një komedi nga eksodi 1991

Postuar në 06 Shtator, 2014 06:00

Duhet vetëm një shkëndijë të improvizosh intervistën, për më tepër me një njeri dinamik e të pakursyer si Saimir Kumbaro. Dikur më takonte të flisja shpesh me të, në ndonjë studio televizive, ku ai montonte dokumentarë, e unë sillesha vërdallë në kërkim të “mbretit lajm”. Sot më shpesh e takoj në kafe, por asnjëherë se kërkon të humbi kohë. Në kokën e tij vërtiten tema, imazhe filmike, profile personazhesh e aktorësh që do të luajnë ato. Shtator, i them, plazhi mbaroi, ke ndonjë projekt të ri në duar? S’mund të mendohet që ai është bosh. “Kam projekt për film të metrazhit të gjatë, - më thotë. - Komedi. Pasqyrohet një nga çastet e ngjarjes më të madhe të viti 1991, eksodi masiv”. Pse, bëhet komedi me eksodin, e pyes. “Padyshim, varet nga këndvështrimi, - më thotë, e pastaj më sqaron: - Ngjarja zhvillohet në një shtëpi në Romë e cila shndërrohet në bujtinë për dhjetëra bashkatdhetarë që kërkojnë një jetë më të mirë. Situatat shkaktojnë humor”. Kur do fillosh me xhirimet, e pyes unë paduruar. “Prit një herë, - ma kthen. - Duhen para. Shpresoj që këshilli i miratimit të projekteve ta përzgjedhë. QKK nuk ka shumë para dhe filmi si art luksoz kërkon shpenzime”. Në fakt e kisha harruar këtë element kaq të rëndësishëm, siç janë paratë. Na duhet filma shqip, këtë di unë. Me paratë merren të tjerët. Në Kinostudio s’kishte nevojë të kërkoje para, paguante shteti, i them me të qeshur. E më pas e pyes tinëz: Ke nostalgji për të? “Të punojë në Kinostudio ishte privilegj, madje i madh - më thotë ai. - Unë kam filluar punë më 3 janar 1970. Në atë kohë dominonte shkolla ruse, sepse kineastët e parë kishin studiuar atje. Për katër vjet punova si asistent derisa fati desh që bashkë me Rikard Ljarjen të na besohej filmi i parë i metrazhit të gjatë, “Rrugicat që kërkonin diell”. Filmi u pëlqye”.

Nuk e kisha shumë të qartë numrin e filmave që prodhoi Kinostudio, 100... ndoshta 200... ndaj sërish e pyes. “Rreth 240 filma të metrazhit të gjatë, - më sqaron Saimiri. - Por për mendimin tim, shumë pak prej tyre kanë vlera”. Unë ia kthej: Ndaj duhej shkrirë Kinostudio? Por ai e ka të qartë përgjigjen: “Jo, por ai institucion nuk mund të vazhdonte të mbahej nga shteti: ishim rreth 700 punonjës dhe teknologjia ndryshoi, kështu që mbajtja e Kinostudios nga shteti ishte një luks”. Unë vazhdoj me pyetjet e mia mbi teknologjinë e përdorur në institucionin e fortë të propagandës. Për këtë punë është gazetari, i them. “Ne xhironim me teknologji të prapambetur, - më sqaron ai. - Kamerat ishin ‘Ariflex’ dhe bënin zhurmë. Çdo gjë dublohej. Për të marrë një intervistë me zë të pastër duhej të mbuloje kamerën me batanije. Cilësia e pelikulës, ‘orwo’, një prodhim gjermano-lindor që merrej me klering ishte e dobët”. Po censura? “Gjithçka censurohej. Jo vetëm unë por shumë krijues të Kinostudios survejoheshin nga Sigurimi i Shtetit”. Ia hodhe më duket, s’të hyri gjë në këmbë? Saimiri qesh. “Kam qenë djalë i shkathët, pak llafazan por si i thonë fjalës “qesh e ngjesh”.

Ai ka një jetë të begatë artistike. Ndër 12 filmat me metrazh të gjatë që ai ka prodhuar si regjisor, njëri është padyshim emblemë e kinemasë shqiptare. “Koncert në vitin 1936” dhe sot 36 vjet pasi është shfaqur për herë të parë ka shumë mesazhe për të thënë. Ndërsa ai, ka ditur që nëpërmjet një kohë të “harruar” të fshikullojë problemet që shfaqen gjithmonë në administratën apo politikën shqiptare. “Duhej të vinte viti 1978 që të realizoja filmin “Koncert në vitin ‘36” me skenar të Kiço Blushit. “Si pjesë e propagandës duhej që mbretëria të diskreditohej, - më thotë Saimiri. - Vendosja e ngjarjeve në kohën e mbretit më shërbeu të them ca gjëra që ndesheshin edhe në kohën e socializmit. Kjo bëri që filmi t’i shpëtojë censurës së egër të Komitetit Qendror dhe filmi u shfaq me sukses”.

Në fakt dhe komedia “Historiani dhe Kameleonët” godiste dukuritë hipokrite të kohës që jetonim. “Fatkeqësisht filmi nuk i shpëtoi censurës, - thotë me keqardhje Kumbaro. - Ai ju nënshtrua operacioneve që kur e shoh sot më vjen keq”. Çfarë filmi tjetër të ka mbetur peng i censurës, e pyes. “Të njëjtin fat pësoi edhe filmi “Nxënësit e klasës time” me skenar të Kiço Blushit. Disa servilë të partishëm më hapën probleme: “I ke vënë personazhit që përfaqëson pushtetin, kasketën që përdor shoku Enver”. Ndaj edhe ky film iu nënshtrua operacioneve.

Tematika e filmave të tij ka të bëjë me katër periudha të historisë Shqiptare; pasqyrimi i Mbretërisë, i Luftës së Dytë, i Realizmit Socialist dhe i viteve të Demokracisë. Dhe më e vështira padyshim ka qenë pasqyrimi i realizmit socialist. E pyes për vështirësitë që haseshin në këto kushte. “Mund të më ishin hapur plot probleme, - më thotë. - Por dikush më mbronte. Në atë kohë shef i redaksisë ka qenë Neshat Tozaj me të cilin pata realizuar filmin “Gëzhoja e Vjetër” dhe “Gracka”. “Gëzhoja” ishte me subjekt policor, ndërsa i dyti “Gracka”, aksion me subjekt nga Sigurimi i Shtetit. Neshati e ndërroi nja tre herë skenarin për shkak të arrestimeve që ndodhën pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Kështu që edhe “Gracka” që në skenar pësoi cenime dramaturgjike për shkak të censurës. Pas këtyre filmave realizova të tjerë me subjekte aktuale si “Gjurmë në Kaltërsi”, “Rrethimi i Vogël”.

Vitin 1990. Ndryshimet po dukeshin në horizont. Saimir Kumbaro ashtu si dhe disa krijues të tjerë të Kinostudios u bënë protagonistët e “kryqëzimit” të të dërguarit të Byrosë Politike, Foto Çamit, në një mbledhje ku u bënë shumë pyetje të cilat nuk morën përgjigje. Ishte koha kur Saimir Kumbaro mbi skenarin e Nexhati Tafës kishte përgatitur skenarin tekniko-regjisorial të filmit “Vdekja e Kalit”. E pyes se çfarë ndryshoi në realizimin e këtij filmi krahasimisht me të tjerët? “Asnjë censurë, asnjë ndërhyrje, vërejtje apo rixhirim, - thotë me një lehtësim të brendshëm. - Finalen e kam shkruar vetë. Ngjarjet e asaj kohe më detyruan të shtoj finalen e filmit ku dy armiqtë takohen. Skenografi i filmit Arben Basha, shok i fëmijërisë time vuri re një detaj. Në parlamentin e asaj kohe kish shumë anëtarë partie. Më sugjeroi të shtoja në skenar një skenë ku ky fenomen të goditej. Me drejtorin e fotografisë Bardhyl Martiniani u ulëm dhe realizuam atë finale që flet shumë.

Ai është një regjisor i cili i ka gjetur vetes gjithmonë punë, sidomos në vitet e gjata të tranzicionit, me një serial dokumentarësh me subjekte të ndryshme nga jeta urbane në Shqipëri. Qe një projekt ku evidentoheshin vlerat e njerëzve në atë periudhë. Por natyrisht, shpirti nuk i ndahej nga filmi artistik “Më në fund duhej të vinte viti 2007 që unë të realizoja filmin “Ne dhe Lenini”. Komedi dramatike, ku nëpërmjet satirës kritikohen persona që duan të përfitojnë në mënyrë të pandershme”, thotë ai për përvojën e tij të fundit me filmin me metrazh të gjatë.

Dhe kaq... Pastaj vijnë projektet e parealizuara, që ose shterojnë një ditë, ose nuk mbarojnë kurrë.

Kjo është një pjesë e jetës artistike të regjisorit të njohur Saimir Mumbaro, i cili tanimë është në pritje të një realizimi të ri që do t’i bashkohet kolanës së prodhimeve të tij.

 

Leonard Veizi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.