Këshilli i Lartë i Drejtësisë dërgon në Gjykatën Kushtetuese ligjin për KLD-në dhe Shkollën e Magjistraturës

Dy ligjet e Kuvendit për drejtësinë, dhe saktësisht për organizimin e funksionimin e KLD dhe për Shkollën e Magjistraturës nuk pranohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë pasi konsiderohen se cenojnë kompetencat e këtij institucioni. Për këtë arsye, KLD ka vendosur që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për rrëzimikn e tyre. "Këshilli i Lartë i Drejtësisë nën drejtimin e Zëvendëskryetarit z. Elvis Çefa, zhvilloi sot mbledhjen ku u diskutua me diskutimin mes anëtarëve mbi ligjet e miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë nr.101/2014 "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8811/2001 "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë" të ndryshuar" dhe nr.97/2014, "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8136, datë 31.07.1996 "Për shkollën e magjistraturës", të ndryshuar". Gjatë diskutimeve të gjithë anëtarët e pranishëm evidentuan probleme të theksuara kushtetutshmërie në këto dy ligje. Në diskutimet e tyre anëtarët e Këshillit theksuan njëzëri se ligjet cenojnë kompetencat thelbësore të KLD. Në përfundim të diskutimeve anëtarët e Këshillit vendosën që t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar ato pjesë të ligjit që cenojnë drejtpërdrejtë funksionimin dhe kompetencat e KLD-së dhe parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor", citon zyrtarisht KLD. Dy ligjet u miratuan nga Kuvendi në sesionin e kaluar parlamentar por u kthyen me dekret nga Presidenti. Me votim në sesionin e ri, parlamenti rrëzoi dekretet e Presidentit, por ligjet tanimë nuk pranohen nga KLD e cila i drejtohet kushtetueses.
Këshilli, shqyrtoi gjithashtu projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, për vitet 2007-2009, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”. Pasi shqyrtoi ankimet përkatëse, Këshilli miratoi aktet e Vlerësimit për 10 (dhjetë) gjyqtarët e mëposhtëm: Miranda Çekrezi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, Valentina Sadiraj, Gjykata e Apelit Durrës; Besim Trezhnjeva, Gjykata e Apelit Durrës; Tereza Lani, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan; Zamira Vyshka, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan; Joana Qeleshi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës; Skënder Haluci, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë; Bib Ndreca, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë; Arbër Çela, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër; Marçela Shehu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin
L.V
Add new comment