Albin Kurti: “Serbia është problemi numër një i Kosovës, jo radikalizmi fetar”. Disa konsiderata edhe për Enverin, Titon, Berishën dhe Edi Ramën

Kreu i Lëvizjes “Vetëvendosja”, Albin Kurti ka dhënë një intervistë për gazetën “Dita”. Kurti ka folur poër zhvillimet politike në Kosovë, për organizimin opozitar kundër Hashim Thaçit, por edhe për radikalizmin fetar. Dhe ka ndarë këtë gjykim, që hedh dritë mbi qëndrimet e VV-së kohët e fundit. “Sigurisht që ka ekstremizëm fetar. Sigurisht që ka ekstremizëm islam. Mirëpo ka një tendencë të vazhdueshme të regjimit në Kosovë që të thotë se rreziku kryesor për Kosovën është Islami ekstrem dhe jo Serbia e korrupsioni. Unë besoj se ekstremizmi fetar është rrezik dhe problem, por në Kosovë ky është problemi numër 3. Problemi numër një është Serbia, numër 2 është korrupsioni qeveritar dhe krimi i organizuar dhe problemi numër 3 vjen si pasojë e dy të parave. Ministria e Jashme e Kosovës u vonua ta përshëndeste pranverën arabe e mandej u ngut në Siri. Ishte totalisht e nxituar deklarata e zotit Hoxhaj që Assad ishte si Millosheviç dhe opozita siriane është si UÇK. Kjo mandej u ndoq nga shumë njerëz këtu”, thotë Kurti. Më tej, me interes gazetaresk janë edhe disa konsiderata të tij për disa nga figurat politike dhe publike shqiptare. Po japim disa:
Dua t’ju pyes për disa personazhe shumë shkurt. Çfarë mendoni për Enver Hoxhën?
Albin Kurti: Diktator i ashpër i shekullit të kaluar!
Për Titon?
Albin Kurti: Ka qenë një diktator shumë i egër, shumë dinak dhe i cili ka balancuar midis nacionalizmave që të mbajë pushtetin e vet. Ai e ka ushqyer Jugosllavinë mbi gënjeshtra fondamentale.
Për Ibrahim Rugovëm?
Albin Kurti: Besoj që ka qenë një kritik i mirë letrar i cili në kohën e okupimit të Serbisë ka bërë rezistencë paqësore. Dhe mospajtimi ka qenë se rezistenca paqësore ka qenë tejet pasive.
Rexhep Qosja?
Albin Kurti: Një intelektual që i ka frymëzuar shumë shqiptarët në rezistencën e tyre përgjatë dekadave ndaj regjimit jugosllav dhe ka patur një rol të jashtëzakonshëm në këtë aspekt. Për ditët e sotme besoj që është shumë i afërt në pozicione me qeverisjen në ikje dhe besoj që është tepër i afërt për të qenë Rexhep Qosja.
Sali Berisha?
Albin Kurti: S’di ç’të them për Sali Berishën, përveç dallimeve evidente që kemi. Besoj që ai do të mbahet mend në histori për thirrjet e demokracisë, më shumë sesa për ndërtimin e saj.
Edi Rama si kryeministër si po ju duket?
Albin Kurti: Besoj që ka njëlloj potenciali për të qenë radikal gjë që është shumë e nevojshme për shoqërinë shqiptare dhe për shtetin shqiptar. Por sa ky potencial i tij do të aktualizohet gjatë qeverisjes, mbetet për t’u parë dhe ai ka një rritje të interesit për t’u kujdesur dhe mësuar për shqiptarët jashtë kufijve.
http://gazetadita.al/interviste-per-te-gjitha-me-albin-kurtin-ju-shpjego...
s.z
Comments
Mbase shqiptaret nuk e njohin

Mbase shqiptaret nuk e njohin veten, ende...

Albin Kurti ishte krejt i besueshem ne artikulimet e tij,

pothuaj i sakte, edhe pse ndonje moment tingellonte si cinik!

Por, ashtu si radikalizmi qe ai verente te Rama, edhe cinizmi nuk eshte gjithnje i qortueshem!

Add new comment