Rama: “Nuk e dija që Fullani do të arrestohej. Ky nuk është testi i vërtetë për Prokurorinë”. Një akuzë e rëndë edhe për botuesin e “Panorama”

Postuar në 18 Shtator, 2014 14:53

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot në “Opinion” se ai nuk ka qenë në dijeni të arrestimit të Guvernatorit Ardian Fullani. “Jam informuar kur Prokuroria ka kërkuar nga Ministria e Brendshme arrestimin”, tha Rama. Ai ka pranuar gjithësesi se Prokurori i Përgjithshëm e ka informuar se “hetimet mund të shkojnë deri Lart” dhe se komunikimi në këtë pikë ka respektuar sipas Ramës pavarësinë e pushteteve. Kryeministri ka vlerësuar se Këshilli Mbikëqyrës nuk e ka bërë punën e vet dhe se anëtarët e tij nuk kanë përvojë bankare. “Sfida është që ta çojmë në një nivel tjetër”, tha Rama. Kryeministri ka nënvizuar se thirrja e njerëzve në rrjetet sociale se ndaj Fullanit duhet të veprojë qeveria është tërësisht e gabuar dhe se nuk zgjidh gjërat. Madje sipas tij, edhe arrestimi i Fullanit, një “peshk i madh” siç u konsiderua në diksutim Guvernatori, nuk është një test real për Prokurorinë. “Test real do të jetë nëse do të vijohet me arrestimin e të tjerëve peshq të mëdhenj, autoritete aktuale ose të kaluar që kanë abuzuar me pushtetin dhe me ligjin”, tha ai, duke theksuar kështu një vullnet për të qenë kërkues ndaj organit të akzuës. E rëndë ka qenë akuza e e tij për gjyqësorin, që e ka quajtur një “koorporatë që punon për qëllime fitimi” dhe në këtë frymë edhe mbajtja në burg e Elivar Golemit është cilësuar nga kryeministri si padrejtësi. Në këtë pikë ka rëndësi ajo që shtoi kryeministri se çështjet e mëdha, si 21 janari, apo Gërdeci, janë mbyllur përkohësisht me këtë sistem.   

Kur vjen puna te emri i ri i Guvernatorit, kryeministri ka deklaruar se kjo është e drejtë e Presidentit, por ka pranuar se ai i ka kërkuar Nishanit të shohë mundësinë e një Guvernatori të huaj. Duke konsideruar si korrekte deklaratën e Presidentit se ai do të zgjedhë një emër nga brenda Shqipërisë, Rama ka shtuar se: “kjo nuk është një çështje që nuk mund të mos kapërcehet edhe ligjërisht”. Gjithnjë në bashkëpunim me Presidentin.

Kryeministri ka bërë edhe një parantezë që duhet nënvizuar: ai e ka akuzuar pronarin e gazetës “Panorama” për shantazh dhe presione ndaj drejtoreshës së Tatimeve, Briseida Shehaj. “Për vënie gjobash, ose heqje gjobash të ligjshme”, ka thënë Rama që i është referuar shkrimit të sotshëm të “Panoramës” që fliste për shmangie nga hetimi të babait të Briseda Shehajt.

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.