Ngërçi politik në Kosovë, zgjidhja kërkohet nga Presidentja Jahjaga

Lidhur me ngërçin politik, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha për gazetën “Epoka e Re” se nuk ka nevojë për kurrfarë kompromisesh politike për formimin e institucioneve të reja, pasi sipas tij, Kosova tashmë ka koalicionin qeverisës LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje. Ai ka vlerësuar se zgjedhjet nuk janë zgjidhje e ngërçit politik. Sipas tij, zgjidhja e këtij ngërçi është në Kuvendin e Kosovës. “Tani për tani roli i presidentes është lehtësues. Zgjidhja është në Kuvendin e Kosovës, por ai duhet të çlirohet nga kapja”, ka deklaruar Krasniqi, duke shtuar se duhet guxim dhe vullnet për të dalë nga kjo.
Ndërkohë gazeta “Tribuna” shkruan se ndërhyrja e presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, në zgjidhjen e ngërçit politik në të cilin është futur vendi pas zgjedhje parlamentare të 8 qershorit, po vlerësohet e drejtë. Por nga presidentja tani po kërkohet që ndërhyrja e saj mos të bëhet vetëm sa për sy e faqe, por të provohet në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të gjitha palët. Të enjten pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit, Jahjaga ka ftuar në takim liderët e partive politike ku ka dëgjuar propozimet e tyre për dalje nga situata e krijuar në vend. Pas përfundimit të takimeve, presidentja ka vlerësuar se dalja nga kriza politike është në dorë të deputetëve të Kosovës. Sidoqoftë, njohës të çështjeve politike, presin që ndërhyrja e presidentes të japë rezultat. Sipas tyre, nuk duhet një përpjekje pro forma por angazhim e kërcënim i partive politike me zgjedhje në rast të mungesës së marrëveshjes.
L.V
Add new comment