Haxhinasto u bën thirrje qytetarëve: Denonconi rastet korruptive gjatë pajisjes me patenta e leje qarkullimi

Postuar në 24 Shtator, 2014 14:03

Nëse do të bëhen ato që thuhen qytetarët nuk do të përballen më me procedura të tejzgjatura për pajisjen me patenta dhe leje qarkullimi. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, zhvilloi një vizitë pune në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Ai pa nga afër cilësinë e shërbimeve që i ofrohen qytetarëve. Nga ana e tij Haxhinasto tha se ky inspektim zhvillohej për të parë të gjithë sistemin e regjistrimit të automjeteve dhe të detyrave të tjera me të cilat merret Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, në rastin konkret Drejtoria e Tiranës, por veçanërisht për të parë se si është cilësia e shërbimit ndaj qytetarëve që vijnë këtu për të marrë shërbimet e ndryshme. Sipas tij, një nga qëllimet e rëndësishme të këtij inspektimi është edhe transparenca e shërbimit ndaj qytetarëve. “Këtu ka patur një progres të madh edhe për transparencën e shërbimit, megjithatë unë i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që marrin shërbime, në raste të papërgjegjshmërisë nga individë të caktuar për korrupsion apo për kërkesa të paligjshme për shërbimet që ofrohen, ata janë të lutur që të bëjnë apelimet sipas proçedurave ligjore apo duke paraqitur shqetësimin e tyre në numrin që kemi paraqitur në web sit-in e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës”. deklaroi Haxhinasto.

 

L.V

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.