Kryeprokurori Llalla merr në analizë 23 drejtues prokurorish, theksi: lufta kundër korrupsionit

Postuar në 26 Shtator, 2014 05:05

Kryeprokurori Adriatik Llalla, në një takim me dyer të mbyllura ka thirrur 23 drejtues të Prokurorive në rrethe si dhe prokurorë Apeli. Ky takim zgjati rreth dy orë. Gjatë takimit kryeprokurori Llalla kërkoi thellimin e hetimeve për këto raste, të cilat janë, siç i vlerësoi ai, “pengesa serioze në forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri”. Duke e vënë theksin tek lufta kundër korrupsionit, Prokurori i Përgjithshëm kërkoi angazhim maksimal të të gjithë strukturës për të vendosur para përgjegjësisë ligjore çdo zyrtar apo ish-zyrtar që është përfshirë në veprat penale që lidhen me funksionin publik. Kryeprokurori vlerësoi të rëndësishme ndryshimet ligjore, në bazë të të cilave korrupsioni i zyrtarëve në nivele të larta do të hetohet nga Prokuroria për Krime të Rënda. “Ky ndryshim ligjor, theksoi Llalla, dikton nevojën edhe për riorganizimin e Njësive të Përbashkëta Hetimore Task-Force që veprojnë në disa prokurori të rretheve gjyqësore”. Llalla theksoi se Prokuroria e Përgjithshme po punon për fuqizimin e mëtejshëm të mekanizmave të këtyre strukturave të posaçme për rritjen e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit. Duke u ndaluar tek rastet e abuzimit me pronat publike, Prokurori i Përgjithshëm kërkoi një vëmendje të veçantë nga e gjithë strukturat e institucionit për hetimin e rasteve të dyshuara të kthimit të pronave apo të legalizimit të tyre. “Shteti shqiptar, aktualisht gjendet në një situatë kur për vendosjen e rregullit në regjimin e tokës, duhet të përballet në gjykatë me shtetas, të cilët kanë ligjëruar pronat në mënyrë abuzive. Kjo është një kosto shumë e lartë për shtetin dhe për taksapaguesit shqiptarë. Për këtë arsye, Prokuroria ka nisur dhe do të vijojë të ndërhyjë në mënyrë energjike për të penalizuar këdo që ka abuzuar, si për ata zyrtarë të zyrave të ALUIZNI-t që kanë dhënë leje legalizimi, po ashtu edhe për ata shtetas që kanë abuzuar me pronat dhe që tashmë kërkojnë dëmshpërblim nga shteti”, deklaroi Llalla.

 

L.V

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.